Krahas atyre që i patën, peshoret financiare iu lëvizën edhe më.

Pasuritë e paluajtshme e të luajtshme të dy prej krerëve të shtetit nuk ishin njësoj në 2024-ën sikurse vitin paraprak.

Presidentja, Vjosa Osmani ka 1 mijë e 400 euro para të gatshme më shumë se në 2023-ën, e po ashtu edhe rreth 3 mijë euro më shumë të hyra vjetore nga pagat.

Njërit banim me 244 m2, që në fakt është deklaruar në pronësi të përbashkët iu rrit vlera nga 190 mijë euro në 208 mijë.

Veç këtij e para e shtetit ka të deklaruar edhe një banesë tjetër, shtëpi në Australi, garazhë kolektive e tokë, të gjitha të blera më kredi e kursime.

Por, në këtë shtet të largët, Osmani ka edhe një banim tjetër, veçse ky siç ka deklaruar ajo është blerë nga shitja e atij paraprak, hua e kursime.

E gjitha kjo pasuri e paluajtshme bashkërisht kap vlerën e mbi 1 milion eurove. Por, që në emrin e presidentes është veç toka e njëri banim në bashkëpronësi.

Pasi të tjerat njësoj sikurse vetura e deklaruar në vlerë të 10 mijë eurove, e blerë nga kursimet dhe shitja e asaj të mëhershmes, janë në pronësi të bashkëshortit, Prindon Sadriu.

Vjosa Osmani ka potencuar se bashkarisht kanë 16 mijë euro obligime ndaj kompanive të ndryshme për punët shtesë të shtëpisë e po ashtu edhe huamarrje 40 mijë e 500 euro.

Më i pasur sivjet u bë edhe kryeministri i dorëhequr, Albin Kurti sa i përketë parave të gatshme.

Vitin e kaluar pati deklaruar 1 mijë e 551 euro derisa sivjet iu bënë 1 mijë e 800. Edhe nga rroga si shef qeverie ky mori rreth 1 mijë euro më shumë se vitin e kaluar.

Kurti, të deklaruar në pronësi të bashkëshortes ka një banesë, që siç ka thënë është blerë përmes kredisë, çmimi i së cilës është 400 mijë euro.

Ai po ashtu ka deklaruar se vet paguan qira mujore të shtëpisë 250 euro, kurse gruaja e tij ka obligime financiare të kredisë, deri në janar të vitit 2052.