Shkruan: Florim Zeqa, 25.04. 2025
Repriza e gjashtë, turpi i gjashtë i deputetëve në Kuvend. Ngërçi në Kuvend po nodhë jo për shkakun e parimeve politike, por të tekeve dhe inateve personale mes shefave të bandave partiake në Kuvend!
Repriza e gjashtë, turpi i gjashtë i deputetëve në Kuvend
Përgjegjësia për moskonstituimin e Kuvendit fillimisht bie mbi atë që e ka shumicën parlamentare ne Kuvend, pastaj edhe ndaj secilit subjekt politik të përfaqësuar në Parlamentin e Kosovës.
Edhe pas përpjekjes së gjashtë, rezultati mbeti përseri i njëjtë dhe i pandryshueshëm. Pozicionime të njëjta, qëndrime të njëjta dhe prononcime të njëjta partiake pas seancave me rekomandim të liderëve partiakë!
Problemi i ngërçit politik në Kuvend nuk është tek kandidatja e propozuar nga partia fituese, Albulena Haxhiu, por tek inatet personale të rivalve politik ndaj Albin Kurtit, i cili, dorën në zemër, i ka irrituar me gjuhën fyese gjatë fushatës zgjedhore dhe injorancën e përseritur pas fushatës!
Për fat të keq, sjellja injoruese e Albin Kurtit ndaj deputetëve të partive tjera dhe gazetarëve vazhdoi edhe në seancën e fundit, të 25 Prillit 2025!
Mbase ky ishte shëmbulli më i keq i një lidershipi shtetërorë!
Tashmë kjo bllokadë politike nuk mund të tejkalohet pa marrëveshje mes subjekteve politike parlamentare për zhbllokim e konstituimit të Kuvendit ose për shkuarje në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Zgjatja e barrikadimeve për interesa partiake, përveç bllokimit të konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës e ka vënë në pikëpyetje funksionalitetin e shtetit në përgjithësi!
Pozita dhe opozita po e humbin besimin e qytetarëve
Gjendja katastrofale e krijuar në vend, si pasojë e një lidershipi të papërgjegjshëm, ka bërë që populli mos t’u besojë më këtyre partive politike.
Si pasojë e kësaj, viteve të fundit kemi rënie drastike të numrit të votuesve në zgjedhje, pasi qytetarët nuk po kanë më për kë të votojnë. Në mendjen e popullit është krijuar bindja se kush më pak e kush më shumë, të gjithë që merren me politikë, janë mashtrues dhe intrigantë, janë hajna dhe kusarë politikë, derisa inteligjenca e pastër ka mbetur në heshtje dhe e përgjumosur.
Vërtetë kjo klasë politike tejët e konsumuar, elektoratin po e përdorin vetëm si objekt përgjatë fushatave zgjedhore, për t’ua grabitur besimin, përkatësisht votën e tyre.
Të gjithë liderët e subjekteve politike, pa dallim, janë shndërruar në uzurpatorë të shtetit dhe varrmihës së ardhmërisë së qytetarëve të këtij vendi, janë bërë sinonim i së keqës, i korrupsionit, krimit të organizuar, zhvatjes së pasurisë shoqërore (shtetërore) duke e shndërruar Kosovën e pasur me resurse të shumta natyrore një vend të varfër dhe të pashpresë për të jetuar në të.
Shtetin e shpëton vetëm një alternativë e re politike
Padrejtësisht është krijuar bindja tek një pjesë e opinionit publik, se nuk kemi njerëz më të mirë për politikë nga këta që i kemi aktualisht.
Kosova ka njerëz të pastër dhe të guximshëm, prapa të cilëve do të rreshtoheshin shumica e qytetarëve pa pikë hezitimi, por dikush ndër më të guximshmit duhet ta merrë stafetën në dorë dhe të niset përpara.
Unë personalisht jam i gatshëm të marrë besimin e qytetarëve dhe t’iu nënshtrohem kërkersave të tyre, me nder dhe përgjegjësi të lartë morale dhe juridike, me transparencë të plotë dhe llogaridhënje për çdo veprim politik dhe çdo cent të buxhetit të shtetit!
Vullneti i qytetarëve të Kosovës për kthesë pozitive, jo vetëm që ekziston, por thërret si kushtrim në ndërgjegjen e atdhetarëve dhe të gjithë njerëzve të vullnetit të mirë. Mjafton vetëm iniciativa e shëndoshë e bazuar në vlera njerëzore, në atdhedashuri e moral njerëzor, për ta ndryshuar mentalitetin kancerogjen të keqqeverisjes tash e sa vite ne Kosovë.
Secili mund të japim diçka nga vetja jonë për Republikën e Kosovës. Secili me takatin e me zanatin e vet, mund ta bëjmë ndryshimin e nevojshëm për Kosovën dhe qytetarët e saj, për kthimin e identitetit e shpirtit humanitar të shqiptarëve të trashëguar ndër shekuj.
Prandaj, vendit urgjentisht i duhet një fillim i ri, një organizim i ri, një lëvizje e re politike e përmasave kombëtare për largimin e këtyre kusarëve politikë nga skena politike!