Gazeta Online Reporteri.net raportoi dje se një person u plagos si pasojë e të shtënave me armë, në fshatin Strellc të Deçanit.

Për këtë rast sot ka dhënë detaje Policia e Kosovës në raportin e saj 24-orësh ku njofton se ende nuk ka persona të arrestuar.

“Fsh. Strellc i Epërm, Deçan 25.04.2025 – 06:38. Raportohet se persona të panjohur kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të automjetit në të cilën gjendej viktima mashkull kosovar”.

“Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin e Pejës, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar 15 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm. Lidhur me rastin është njoftuar prokurori”, thuhet në raport.

Policia njofton se rasti është nën hetime.