Tre lojtarë të KF Gostivarit dhe një anëtar i stafit teknik të këtij klubi janë liruar dje nga stacioni policor në Strugë, pasi u mbajtën për rreth 24 orë nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Lirimi i tyre vjen pasi dhanë deklarata në polici dhe ndaj tyre u ngritën kallëzime penale për sulm ndaj një personi zyrtar. Të katërve u janë konfiskuar pasaportat dhe tani pritet të shihet se si do të zhvillohet procedura në vazhdim.

Incidenti ndodhi të shtunën pas përfundimit të ndeshjes kundër Struga Trim & Lum, kur gjatë një përplasjeje para dhomave të zhveshjes në stadiumin e Strugës, këta persona dyshohet se kanë sulmuar pjesëtarë të MPB-së. Për pasojë, ata u ndaluan dhe u dërguan në stacionin policor për procedurë të mëtejshme.