Për herë të parë në shtet u krye një transplantim i meniskut tek një pacient 30-vjeçar, tek i cili më parë ishte kryer një meniskektomi totale e meniskut medial.
Operacionin e kreu doc. dr. Alan Andonovski, ndërsa në ekip ishin të përfshirë: asistente dr. Milena Bogoevska-Doksevska, dr. Ismail Veliu, dr. Teodora Bozhinovska, dr. Miki Gjoreski, infermieret Biljana Trojanoviq, Sanja Todorovska, Kostadinka Vukoviq dhe sanitare Irena Galevska.
Ekipi i anesteziologjisë përbëhej nga dr. Miki Filev, motra Zllata Apostoloska dhe Gordana Zaharijeva.
— Ky lloj ndërhyrjeje kirurgjikale nuk do të ishte i mundur pa ekzistimin e programit për transplantim dhe dhurimin e organeve nga një dhurues i ndjerë. Me këtë rast, theksojmë rëndësinë e altruizmit të familjeve të dhuruesve të ndjerë, të cilët me humanizmin e tyre kanë mundësuar përmirësimin e cilësisë së jetës së një pacienti tjetër — deklaroi dr. Milena Bogoevska-Doksevska, koordinatore spitalore për transplantim në Klinikën e Ortopedisë.
Koordinatorja nacionale për transplantim, prof. dr. Biljana Kuzmanovska, shprehu mirënjohje dhe respekt të madh për familjen e dhuruesit, si dhe për të gjithë ekipin mjekësor të përfshirë në ndërhyrje.
— Si koordinatore nacionale për transplantim, do të vazhdoj edhe më intensivisht me ngritjen e ndërgjegjësimit tek qytetarët për dhurimin e organeve. Gjithashtu, prioriteti im kryesor mbetet investimi në edukim dhe në metoda të reja zhvillimi në mjekësinë e transplantimit — tha prof. dr. Kuzmanovska.