Prokuroria: Dy vëllezër nga Kriva Pallanka kanë vrarë bashkëfshatarin për 6.000 denarë dhe kanë djegur trupin për të fshehur gjurmët

Prokuroria Themelore Publike në Kumanovë ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj dy vëllezërve nga fshati Luke i Kriva Pallankës, për të cilët ekziston dyshim i bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale – Vrasje nga neni 123, paragrafi 2, pika 4 e Kodit Penal.
Të dyshuarit, të moshës 20 dhe 25 vjeç, nga lakmia e kanë privuar nga jeta bashkëfshatarin e tyre. Gjatë natës mes 24 dhe 25 marsit, ata u morën vesh të kryejnë vjedhje në shtëpinë e viktimës. Vëllai më i vogël e ka zgjuar viktimën dhe e ka nxjerrë jashtë me arsyetimin se donte të blinte raki. Në oborr e ka goditur me sëpatë në kokë, ndërsa më pas të dy së bashku e kanë tërhequr dhe i kanë dhënë edhe disa goditje me mjete të tjera.
Duke i kontrolluar xhepat, i kanë marrë 6.000 denarë, të cilët i kanë ndarë mes vete, e më pas kanë kontrolluar edhe shtëpinë dhe ambientet ndihmëse. Në fund, trupin e kanë spërkatur me benzinë dhe naftë, e kanë djegur dhe e kanë hedhur në një gropë pranë lumit, duke e mbuluar me dru dhe gurë.
Me propozim të prokurorit publik, Gjykata Themelore në Kumanovë ka caktuar masën e paraburgimit për të dy të dyshuarit, të cilët deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes ishin ndaluar fillimisht për 48 orë.