Prokuroria Themelore Publike në Tetovë ka paraqitur ankesë ndaj aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Tetovë të datës 07.04.2025, me të cilin i pandehuri M.P. u dënua me dy vite burg për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pasurisë në komunikacion” sipas nenit 300 paragrafi 4 në lidhje me nenin 297 paragrafi 3 dhe paragrafi 1 të Kodit Penal.

Ankesa është bërë për shkak të lartësisë së dënimit penal, që sipas prokurorit është shumë e butë në raport me ashpërsinë e veprës penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të pandehurit.

Ndër rrethanat për të cilat prokuroria kërkon dënim më të ashpër janë pasojat veçanërisht të rënda të aksidentit rrugor, në të cilin këmbësorja Teodora Ristovska pësoi lëndime të rënda trupore nga të cilat më pas ndërroi jetë.

Pavarësisht se Këshilli Gjyqësor dha një mendim në këtë lëndë para se ajo të përfundonte me aktgjykim të formës së prerë, prokuroria gjatë gjithë procedurës nuk ishte pajtuar me dënimin prej vetëm dy vitesh burg, dhe për këtë arsye konsideron se ekziston hapësirë për korrigjimin e sanksionit.

Gjithashtu, interesi i përgjithshëm publik, i ndikuar nga shtimi i rasteve të tilla penale si fenomen, tregon nevojën për forcimin e politikës ndëshkuese si mekanizëm parandalues. Prandaj, prokurori publik vendosi të shfrytëzojë të drejtën ligjore dhe të kërkojë nga Gjykata e Apelit në Gostivar ndryshimin e dënimit me një më të lartë.

Shtesë, edhe familja e viktimës, e cila në këtë fazë të procedurës nuk ka të drejtë ankese, iu drejtua me shkrim prokurorisë duke kërkuar që ta ankojnë aktgjykimin.