Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër një personi të dyshuar për veprat penale “Prodhim, mbajtje, ndërmjetësim dhe tregti të paautorizuar me armë apo mjete shpërthyese” sipas nenit 396 paragrafi 3 dhe “Rrezikim i sigurisë” sipas nenit 144 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.
I dyshuari, një 35-vjeçar nga Kondova, në shtëpinë e tij ka mbajtur në mënyrë të paautorizuar një armë zjarri gjysmë automatike – pistoletë “CRVENA ZASTAVA Mod.70” kalibër 7.65 mm, me dy karikatorë dhe 24 plumba.
Në periudhën nga shkurti deri më 7 prill 2025, i dyshuari ka përdorur aplikacionin WhatsApp për t’i dërguar disa kërcënime serioze një fëmije dhe babait të tij, duke deklaruar se do t’ua sulmonte jetën dhe trupin.
Fillimisht, për të treguar se zotëron armë, në muajin shkurt i dyshuari i dërgoi fëmijës – në numrin që ai përdorte në atë kohë – një video ku shihej duke qëlluar me armë automatike në një dasmë. Fëmija e ruajti videon në telefonin e tij.
Më 7 prill, kur fëmija kishte ndërruar numrin e telefonit, i dyshuari e kontaktoi sërish në aplikacion dhe i kërkoi që të mos publikojë videon, duke e kërcënuar me jetë atë dhe babain e tij. Pak orë më vonë, ai e kontaktoi përsëri dhe vazhdoi me kërcënime me zë të lartë, duke shkaktuar ndjenjë pasigurie dhe frike te fëmija.
Prokurori publik ka paraqitur kërkesë për caktim të masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore Penale Shkup, me arsyetimin se ekziston rrezik për arratisje dhe dyshim i arsyeshëm se mund të përsërisë veprën penale.