Sekretari amerikan i Tregtisë ka mbrojtur vendimin e SHBA-ve për të vendosur tarifa ndaj Ishujve Heard dhe McDonald – ishuj të pabanuar në jug të Oqeanit Indian, të populluar vetëm nga pinguinë dhe foka. Howard Lutnick, duke folur për CBS, tha se tarifat synojnë të mbyllin hapësirat ligjore në sistemin tregtar global dhe të parandalojnë përdorimin e ishujve si pikë transiti nga vendet që përpiqen të shmangin tarifat amerikane përmes asaj që ai e quajti “arbitrazh tregtar”.

Autoritetet australiane u shprehën të habitura kur mësuan për përfshirjen e këtyre ishujve, të cilët ndodhen rreth 4000 km nga Australia, në listën e tarifave të SHBA-ve. Ministri australian i Tregtisë, Don Farrell, e quajti vendimin “qartazi një gabim” që tregon një proces të nxituar, shkruan A2 CNN. Megjithatë, Lutnick e mbrojti vendimin, duke theksuar se çdo përjashtim nga lista mund të shfrytëzohet nga vendet për të anashkaluar tarifat. “Presidenti është lodhur nga kjo dhe do ta rregullojë”, tha ai.

Vendosja e tarifave ndodhi në një kohë kur tregjet financiare amerikane përjetuan një rënie të fortë – indekset kryesore pësuan një rënie mbi 5%, më e madhja që nga viti 2020.

Edhe territore të tjera të largëta si Territori Britanik i Oqeanit Indian u përfshinë në listën e re të tarifave, pavarësisht se janë të banuara vetëm nga personel ushtarak.

Të dhënat tregtare nga Banka Botërore tregojnë se në vitin 2022, SHBA importoi 1.4 milionë dollarë mallra – kryesisht “makineri dhe produkte elektrike” – nga ishujt Heard dhe McDonald.