Rami Qerimi
Qasja e fundit e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut ka ngjallur zhgënjim të thellë dhe ndjesi të theksuar mosmirënjohjeje. Në vend që të respektojë dhe vlerësojë kontributin historik dhe të pazëvendësueshëm të shqiptarëve të Maqedonisë për çlirimin dhe ndërtimin e Kosovës, Kurti ka zgjedhur të përkrahë subjekte politike shqiptare që janë ndëshkuar nga vota e popullit dhe më shqetësuese akoma – ka shfaqur mbështetje të tërthortë për Hristijan Mickoskin, liderin aktual maqedonas, politikat e të cilit janë në kundërshtim me interesat e shqiptarëve.
Mickoski, përmes veprimeve të tij, është duke zhvlerësuar Marrëveshjen e Ohrit – një shtyllë kyçe për të drejtat kolektive të shqiptarëve në Maqedoni – dhe me retorikën e tij përjashtuese po rikthen një klimë të rrezikshme diskriminimi. Për më tepër, në vend që të kërkojë drejtësi e përgjegjësi pas tragjedisë në Koçan, ai ka zgjedhur rrugën më të lehtë: kriminalizimin dhe ndëshkimin e shqiptarëve, për të mbuluar paaftësinë e qeverisë së tij.
Në këtë kontekst, qëndrimi i Albin Kurtit është i pakuptueshëm dhe i papranueshëm. Ai ka harruar, ose ka zgjedhur të harrojë, se shqiptarët e Maqedonisë kanë dhënë gjithçka për Kosovën – me gjak, me armë, me bukë dhe me shpirt.
Ishin ata që hapën dyert për vëllezërit nga Kosova gjatë eksodit të viteve 1998-1999.
Ishin ata që u rreshtuan në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku figura si Ali Ahmeti ishin ndër themeluesit dhe kontribuesit e parë.
Të mbështetësh sot forca që përjashtojnë shqiptarët nga proceset vendimmarrëse në Maqedoni, dhe të injorosh vuajtjet e tyre aktuale, është jo vetëm politikisht e gabuar, por moralisht e dënueshme.
Është koha që Kurti të reflektojë – të njohë gabimet, të tregojë mirënjohje për ata që e kanë ndihmuar popullin e Kosovës në ditët më të vështira dhe të rreshtohet krah të drejtës dhe jo krah pushteteve që shtypin shqiptarët, kudo që janë.