Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmes programit për investime në Mjedisin Jetësor për vitin 2025 ka siguruar 3.7 milionë euro për projekte ekologjike. Siç bëjnë të ditur nga Qeveria mjetet do të destinohen për sistemet e kanalizimit dhe për pastrimin e ujërave të zeza, për përmirësimin e sistemeve të ujësjellësit, për projekte edukative, hulumtuese dhe zhvillimore, si dhe aktivitete për ngritjen e vetëdijes publike, edukim dhe trajnime të lidhura me mjedisin jetësor.
“Janë paraparë 100 milionë denarë për ndërtimin dhe dokumentacionin teknik për sistemet e kanalizimit dhe për pastrimin e ujërave të zeza, 100 milionë denarë për ndërtimin dhe përmirësimin e sistemeve të ujësjellësit, 10 milionë denarë për projekte edukative, hulumtuese dhe zhvillimore, si dhe 19 milionë denarë për aktivitete për ngritjen e vetëdijes publike, edukim dhe trajnime të lidhura me mjedisin jetësor”, theksojnë nga Qeveria.
Nga Qeveria tutje shtojnë se me financimin e projekteve do të kontribuohet për një mjedis më të pastër jetësor dhe jetë cilësore.
“Përmes nxitjes dhe financimit të projekteve që nënkuptojnë mbrojtje, avancim dhe menaxhim të qëndrueshëm, do të kontribuojmë për një mjedis më të pastër jetësor i cili është faktor kyç për jetë më cilësore dhe shëndet për të gjithë qytetarët.
Ftojmë të gjitha komunat, shoqatat, organizatat qytetare dhe institucionet shkencore-arsimore të përfshihen aktivisht. Afati për aplikim zgjat tre javë. Informacionet mund të gjenden në faqen zyrtare të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
Ndotja e mjedisit jetësor është problem që prek njësoj të gjithë qytetarët dhe për zgjidhjen e tij të plotë kërkohet kohë. Prandaj, përmes investimeve në projekte ekologjike, do të sigurojmë një mjedis jetësor më të pastër.”, thonë nga Qeveria.