Qeveria: U miratua informacioni për ndërtimin e objekteve të reja dhe rikonstruksionin e objekteve ekzistuese në kulturë, si dhe për blerjen e 120 autobusëve ekologjikë

Në mbledhjen e 65-të qeveritare të mbajtur sot, u shqyrtua dhe u miratua informacioni për përmbajtjen e Programit për ndërtimin e objekteve të reja dhe për rikonstruksionin, sanimin dhe adaptimin e objekteve ekzistuese që përdoren nga institucionet publike në fushën e kulturës për vitin 2025 i cili përmban 11 aktivitete projektuese që do të realizohen nga Ministria e Kulturës dhe Turizmit dhe Institucionet Nacionale nga fusha e kulturës, të cilat janë bartës të aktiviteteve. Me këtë program parashihen aktivitete për vazhdimin e punimeve ndërtimore për ndërtimin e një objekti të ri të destinuar për teatër dhe bibliotekë në Tetovë, ndërtim të objektit të I.N. Teatri Turk – Shkup dhe ndërtimin e Teatrit të Vjetër në Strumicë, vazhdohet edhe me rikonstruksionin e objektit të teatrit në Kumanovë, si dhe fillimi i rikonstruksionit të objektit të I.N. Muzeu i Maqedonisë dhe fillimi i rikonstruksionit – sanimit dhe adaptimit të objektit të ish-kinemasë Partizani në Manastir, në kuadër të I.N. Teatri Popullor – Manastir. Mjetet financiare të nevojshme për realizimin e aktiviteteve nga Programi janë parashikuar në Buxhetin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit për vitin 2025, në vlerë prej 123.775.000 denarë.
Gjithashtu, Qeveria e shqyrtoi dhe miratoi informacionin e Ministrisë së Transportit në lidhje me letrat e interesit të dorëzuara nga njësitë e vetëqeverisjes lokale për nevojën e blerjes së autobusëve ekologjikë për transport publik. Duke pasur parasysh mjetet financiare të siguruara në kuadër të buxhetit të Ministrisë së Transportit për këtë qëllim, është paraparë blerja e 120 autobusëve ekologjikë, nga të cilët 80 janë urgjentisht të nevojshëm për rinovimin e parkut të qarkullimit të NQP Shkup-Shkup dhe përmirësimin e transportit publik, ndërsa 40 të tjerët do të shpërndahen sipas arsyeshmërisë ekonomike dhe nevojave reale të secilës njësi të vetëqeverisjes lokale.
Blerja e autobusëve ekologjikë për transport publik do të kontribuojë në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, si dhe në uljen e ndotjes së ajrit në komunat, zhvillim të qëndrueshëm dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.