Nga Ministria e Punëve të Brendshme bëjnë të ditur se sot nga ora 10.30 deri në ora 12 do të ketë regjim të veçantë të komunikacionit në drejtim të pikës kufitare Bllacë, transmeton TV21. Vendosja e regjimit të veçantë për shkak se sot do të lëshohet në përdorim sistemi i kontrolleve të përbashkëta kufitare “One Stop Shop”.
“E shtunë, 12.04.2025 në ora 11:00, në Pikë kalimin kufitar “Bllacë – Hani i Elezit” do të mbahet ceremoni solemne për vënien në përdorim të sistemit të kontrolleve të përbashkëta kufitare “One Stop Shop”. Në këtë ngjarje do të marrin pjesë delegacione të larta qeveritare të Maqedonisë dhe të Kosovës, ministra, zëvendëskryeministra, të kryesuara nga kryeministrat e të dyja vendeve, z. Mickoski dhe z. Kurti, drejtorë të drejtorive shtetërore, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik në shtet.
Për këto arsye SPB Shkup – Njësiti për siguri në komunikacionin rrugor nga ora 10:30 deri në ora 12:00 do të ndërmarrë masa për regjim të veçantë të komunikacionit në drejtimin rrugor Bllacë- qarkore e Shkupit.
SPB Shkup u bën thirrje të gjithë qytetarëve pjesëmarrës në komunikacion për të respektuar urdhrat që do t’i japin nëpunësit policorë”, theksojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme.