Shumica parlamentare ka refuzuar propozim-ligjin e LSDM-së për rritje të pagave. Propozimi i Social Demokratëve parashihte rritje rroge nga 3 mijë deri 15 mijë denarë dhe për këtë, sipas tyre, kompanitë nuk do të obligoheshin të paguanë kontribute shtesë për pjesën e rritur të pagës. Deputetja e LSDM-së, Jovana Trençevska tha se shporta e konsumit në shkurt 2025 arriti në 63.773 denarë dhe është rritur për 100 euro në krahasim me vitin e kaluar.

Sipas saj, dy paga minimale nuk mjaftojnë për të përballuar shpenzimet bazë mujore të një familjeje.

JOVANA TRENÇEVSKA – LSDM

“Për herë të parë u arrit marrëveshja për rritjen e pagës minimale pa dialog social dhe pa pjesëmarrje të sindikalistëve. Rezultati? Rritje e turpshme prej 1.800 denarësh, larg nga ajo që është e nevojshme dhe shumë pak nga ajo që meritojnë punëtorët. Qeveria nuk e respekton as marrëveshjen kolektive, nuk i rrit pagat në sektorin publik për 12.5% sa ishte paraparë. Derisa qytetarët mbyten nga harxhimet dhe faturat e larta, DPMNE-ja harxhon para për mango, matje të rejtingjeve, monitoring të mediumeve. Për vetëm 9 muaj, kjo Qeveri tregoi se çka për ta është e rëndësishme, jo punëtorët, por interesat biznesore dhe PR personal.”