Sot do të mbahet seanca konstituive e Legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në seancën e cila është paraparë të fillojë në orën 10:00, fillimisht do të formohet Komisioni i Përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve të sapozgjedhur, ndërsa pas kësaj do të bëhet betimi i deputetëve.
Sipas rregullores së punës së Kuvendit, punimet e seancës konstituive, deri në zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, i drejton deputeti më i vjetër në moshë, i ndihmuar nga deputeti më i ri në moshë, që në këtë rast janë deputeti i Vetëvendosjes, Avni Dehari dhe deputetja e PDK-së, Sala Jashari.
Në pikën e tretë të rendit të ditës është paraparë të bëhet zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit, pozitë kjo e cila i takon partisë që ka numrin më të madh të deputetëve, por që deri tash Vetëvendosje nuk e ka nominuar askënd për të parin e legjislativit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje si partia e parë, e ka të drejtën të propozojë kryeparlamentarin, i cili zgjidhet me 61 vota, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Seanca konstituive përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit, por në rast të dështimit të zgjedhjes së kryetarit dhe ndërprerjes së seancës, ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë.
Rregullorja e Kuvendit thekson se në rast se seanca e sotme ndërpritet, ndërprerjet “nuk mund të jenë më të gjata se 48 orë”, çka do të thotë se në afat prej 48 orësh duhet të mbahet seanca tjetër.