Armand Duka ka dhënë një intervistë ekskluzive në emisionin sportiv “Favorit”, ku ka folur për shumë tema të ndryshme, ndër to edhe organizimi i ndeshjes ndaj Serbisë.

Ai ka thënë se beson shumë në një organizim të mirë të ndeshjes, me asnjë problem e asnjë incident, derisa tha se serbët kanë më shumë huliganizëm se shqiptarët.

“Ne kemi një eksperiencë në organizimin e ndeshjeve me Serbinë në Tiranë, padyshim që ka pasur masa të shtuara sigurie, është konsideruar një ndeshje me rrezik të lartë për arsye që dihen, por kemi përfunduar me sukses organizimin e saj pa incidente të mëdha, ka patur faktikisht një goditje me gur të autobusit të futbollistëve serbë në hyrje të Tiranës, dhe ky ka qenë incidenti i vetëm që më mirë do të ishte mos të ndodhte dhe jam shumë i bindur që ne përsëri do ta organizojmë mirë”, tha ai.

“Kam besim në eksperiencën e organizatorëve, që është FSHF-ja, kam besim në ata që do të vijnë në shkallët e stadiumit. Më duket se ne jemi me të vërtet më të civilizuar dhe dijmë ta ndajmë sportin nga politika, dijmë të mbajmë emocionet sportive në sport dhe ndihma reale që mund t’i japim skuadrës, është ta ndihmojmë atë sportivisht, ta përjetojmë atë si një ndeshje futbollit, fitorja jonë është që të fitojmë rezultatin në fushë, të fitojmë tre pikët dhe të ecim përpara, dhe pa dyshim kam besim shumë edhe te Policia e shtetit shqiptar, që do të na ndihmojë për ta organizuar shumë mirë”, shtoi Duka.

Duka tha se serbët duhet ta përjetojnë ndeshjen me festë sportive dhe të jenë më të përgjegjshëm.

“Ndërsa, në Serbi, eksperiencat janë negative, më duket se ata kanë shumë më shumë huliganizëm, ne nuk kemi. Ata janë më pak të organizuar se ne. Uroj që të ketë nxjerrë mësim nga ajo ndeshja e kaluar dhe të bëjnë çdo gjë mirë. Shumë e rëndësishme është që të ndërgjegjësohen, qoftë futbollistët serbë, qoftë edhe mbështetësit, që kjo është një ndeshje futbolli dhe ta përjetojnë si një ndeshje futbolli dhe si një festë sportive”, përfundoi ai.