Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë ka reaguar pasi së fundmi Sudani njohu Kosovën si shtet të pavarur.

Siç raporton Kossev, MPJ serbe, ka vënë në “pikëpyetje legjitimitetin e qeverisë së Sudanit dhe vlefshmërinë e vendimeve ndërkombëtare që ajo merr”.

Kjo ministri pretendon në ankesën e saj drejtuar Sudanit se “vendimi është një shkelje e rëndë e parimeve të së drejtës ndërkombëtare”.

“Ky vendim jo vetëm që bie ndesh me normat e së drejtës ndërkombëtare, por edhe minon përpjekjet për zgjidhje paqësore të marrëdhënieve në Ballkan”, thekson MPJ-ja serbe, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, sipas Kossev, Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të respektojë siç thuhet Kartën e OKB-së dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe siç thuhet më tej ” të përmbahen “nga njohja e pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës” si dhe “ta mbështesin dialogun si të vetmen zgjidhje praktike”.

Nga ana tjetër, ata i bënë thirrje qeverisë së Sudanit që të rishqyrtojë vendimin e saj, siç thonë “duke marrë parasysh kompleksitetin dhe ndjeshmërinë e situatës”.