Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi mbrëmjen e së mërkurës se do t’i rrisë menjëherë tarifat ndaj mallrave kineze në 125 për qind, pasi Kina vendosi tarifa prej 84 për qind ndaj një sërë importesh nga Amerika.

Ky vendim shënon përshkallëzim të ri në konfliktin tregtar mes dy ekonomive më të mëdha të botës.

“Bazuar në mungesën e respektit që Kina ka treguar ndaj Tregjeve Botërore, po e rris tarifën e vendosur ndaj Kinës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në 125%, me efekt të menjëhershëm”, deklaroi Trump në rrjetet sociale.

“Shpresojmë se së shpejti, Kina do ta kuptojë se ditët kur e mashtronin SHBA-në dhe vendet e tjera nuk janë më të qëndrueshme apo të pranueshme”, shtoi ai.

Sekretari i Thesarit amerikan, Scott Bessent, këmbënguli se kjo ka qenë strategjia e Trump që në fillim, duke u thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se Pekini “është treguar para botës aktor i keq”.

Në një intervistë të mërkurën për Fox Business, Bessent e dënoi veprimin e Kinës, duke thënë se është për keqardhje qysh kinezët nuk duan të negociojnë, “sepse ata janë shkelësit më të mëdhenj të sistemit tregtar ndërkombëtar”.