Shkruan: Merxhan Jakupi
Një ditë pranvere me diell, 11 prill 1985, festë e Pashkëve. Në mbrëmje, një mik imi më mori në telefon. Me një zë të trishtë dhe të hidhur, më tha: “Shoku Enver Hoxha ka vdekur!”. Mërgimtarët, të mbledhur nëpër banesa, përcillnin ceremoninë mortore nëpër rrjetet televizive zvicerane dhe gjermane të prijësit dhe babait të kombit shqiptar, shokut Enver Hoxha.
Shumica e mërgimtarëve të diasporës shqiptare, që punonin në Zvicër dhe shtete të tjera perëndimore, në ditën e varrimit të prijësit komunist, Enver Hoxha, kishin marrë ditë pushimi.
Një koleg i punës, boshnjak, më pyeti pse nuk kisha marrë ditë pushimi si shqiptarët tjerë. Kolegu boshnjak, me një buzëqeshje ironike, më tha: “Duket se më tepër e admiron Titon sesa Enver Hoxhën”.
Enver Hoxha, mëse dyzet vjet, ishte shndërruar në kult, idol dhe mit, edhe tek gjysma e kombit në ish-Federatën Jugosllave. Absurdi dhe ironia ishte se edhe në diasporë, Enver Hoxha ishte bërë kult, idol dhe ikonë e kombit shqiptar.
Mërgimtarët shqiptarë, për fat të keq, edhe pse jetonin dhe punonin në shtete demokratike, ku kishin statut, të drejta, liri, standard dhe jetë të begatshme, shumë më të mirë se në shtetin nga vinin, megjithatë për shumicën e tyre, Shqipëria ishte shtet parajsë në zemër të Europës.
Në vitet e 80-ta kisha njohur një mik zviceran, shofer kamioni, që transportonte mallra për në Shqipëri. Shoferi zviceran rrëfente tmerret dhe vuajtjet e popullit shqiptar. Me shumë emocione tregonte imazhin e trishtë dhe të dhimbshëm të popullit shqiptar. Ai kishte parë se si vajzat dhe nuset me barrë punonin duke hapur kanale, sikur të ishin në kohën e perandorit romak Kaligula.
Shumica e mërgimtarëve dhe miqve të mi nuk i besonin, duke thënë se ishte spiun revizionist i Perëndimit dhe i sigurimit të UDB-së jugosllave. Shoferi zviceran shpesh sillte gazetën nga Shqipëria, siç ishte “Zëri i Popullit”. Kjo gazetë ishte bërë si bibël dhe lexohej dorë më dorë, në heshtje. Ishte hera e parë që e lexoja këtë gazetë. Nuk i ngjante një gazete normale, por ishte një organ i Partisë së Punës.
Mërgimtarët shqiptarë, ndonëse kishin nëpër kioska gazeta dhe revista prestigjioze në gjuhën gjermane, frënge, italiane dhe angleze, shumica e tyre ishin të indoktrinuar dhe të kënaqur me ideologjinë marksiste-leniniste dhe enveriste.
Shtypi, gazetat dhe televizionet rrallë shkruanin ose transmetonin ndonjë dokumentar për Shqipërinë. Urrejtja ndaj Moskës dhe Stalinit gjithnjë e më shumë rritej. Po ashtu, rritej edhe urrejtja ndaj Enver Hoxhës, pasi Shqipëria kishte mbetur një lloj “muzeu” dhe bastioni i stalinizmit.
PROTESTAT E DIASPORËS SHQIPTARE NË METROPOOLET PERËNDIMORE
Pas shpërthimit të revoltës dhe demonstratave të vitit 1981, realisht filloi edhe faza e sensibilizimit edhe në opinionin ndërkombëtar dhe në botën demokratike perëndimore mbi diskriminimin e shqiptarëve në Federatën Jugosllave. Deri atëherë, shumë pak veta dinin për diskriminimin dhe segregacionin e shqiptarëve. Tito, një komunist liberal, gëzonte reputacion dhe kredibilitet në botën perëndimore.
Në fillim, këto demonstrata nëpër metropolet europiane, fatkeqësisht, ishin të organizuara nga militantë marksist-leninistë dhe enveristë. Përveç sloganeve dhe parullave marksist-leniniste, protestuesit mbanin edhe portretin e Enver Hoxhës.
Në një gazetë zvicerane, një autor shkruante: “Shqiptarët kërkonin liri dhe demokraci me ideologji kripto-komuniste. Ndërsa, më tej autori vazhdonte: “Më mirë shqiptarët të dilnin me pankarta, slogane dhe me portretin e mbretit të tyre, Ahmet Zogut”. Beogradi dhe gazetat serbe talleshin, por, kur mërgimtarët shqiptarë ktheheshin në vendlindje, fillonte gjuetia e shtrigave, marrja e pasaportave, represalje dhe tortura.
Një mik imi, aktivist, më tregoi se mes organizatorëve kishte pasur përplasje dhe konfrontime idesh. Udhëheqësit dhe organizatorët më modernë dhe liberalë kishin vendosur që, në të ardhmen, të ndaloheshin sloganet, parullat marksist-leniniste dhe mbajtja e fotografisë së prijësit komunist, Enver Hoxha.

INTELEKTUALËT DHE ELITA POLITIKE, MES DY ZJARREVE
Prijësi komunist, Enver Hoxha, për shumicën e intelektualëve, akademikëve dhe elitës politike në Prishtinë dhe Shkup, ishte figurë komplekse dhe tabu. Nga udhëheqësit politikë dhe klasa akademike, regjimi i Beogradit pritej me skepticizëm. Autonomistët dhe klasa intelektuale etiketohej se përkrahnin irredentizmin, separatizmin dhe ideologjinë enveriste. Po ashtu, në këtë kontekst edhe elita politike e Prishtinës dhe e Shkupit gjendej mes dy zjarreve.
Një mik, funksionar i lartë në Shkup, rrëfente se propaganda e Tiranës iu kishte bërë shumë dëm shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni dhe trojet e tjera. Nëse dalim në media apo gazeta dhe e kritikojmë ashpër propagandën dhe ideologjinë helmuese enveriste, rrëfente ai, në opinion fillon rrëmuja, duke na akuzuar si tradhtarë dhe armiq të kombit.
Miku rrëfente se politikanët shqiptarë në Prishtinë dhe Shkup shpeshherë përballeshin me sulme thumbuese nga kolegët e tyre serbë dhe maqedonas: “Ju shqiptarët keni pasur fat që keni mbetur në federatën jugosllave. Keni liri, pronë, biznese dhe jetë të begatshme dhe prapëseprapë nuk jeni të kënaqur”.