Sot, Maqedonia e Veriut ndodhet në një udhëkryq ku shumëçka duket e qetë në
sipërfaqe, por shumëçka lëviz nën të. Në këto rrethana, vetëm ata që dinë ta
lexojnë këtë qetësi jo si paqe, por si sfidë, mund të ndërtojnë politika që
qëndrojnë përtej të përditshmes. Shqiptarët janë ndër ata që mund ta bëjnë këtë –
nëse zgjedhin të jenë faktor i qëndrueshmërisë dhe jo thjesht pjesë e ekuilibrave
të përkohshëm
Nga Prof.dr. Skender ASANI
Koha, si gjithmonë, është një aktor i heshtur, por thellësisht i drejtë. Ajo nuk mbështet
asnjë agjendë dhe nuk jep paralajmërime për vendimet që dikush duhet t’i marrë sot për
të mos paguar çmime nesër. Në shoqëri të ndjeshme si Maqedonia e Veriut, ku
pluralizmi etnik është pasuri por edhe provë e vazhdueshme pjekurie, kjo heshtje e
kohës mund të bëhet gjykim i ashpër për ata që nuk arrijnë të kuptojnë drejt drejtimin e
saj.
Në një sfond ku zhvillimet globale kërkojnë pozicionime të qarta, dhe rajoni më shumë
se kurrë ka nevojë për vlera të përbashkëta, fragmentimi politik i brendshëm mbetet një
luks i padurueshëm. Për vendet që nuk e kanë ende të konsoliduar arkitekturën e tyre
të brendshme demokratike, mungesa e një vizioni gjithëpërfshirës nuk është vetëm
dobësi taktike – është një rrezik strategjik.
Në këtë mozaik politik, shqiptarët nuk janë më thjesht një “pjesë integrale e sistemit”.
Ata janë një shtyllë që ndihmon në ekuilibrimin e gjithë ndërtesës. Por kjo shtyllë nuk
mund të qëndrojë fort nëse e përbëjnë pjesë që lëvizin në drejtime të ndryshme. Sot,
më shumë se kurrë, shqiptarët nuk kanë luksin të jenë spektatorë të një loje politike që
shpesh zhvillohet pa ta, por në emër të tyre.
Fatkeqësisht, në vend që të vlerësohet investimi historik i shqiptarëve në ndërtimin e një
shoqërie stabile dhe funksionale, në disa raste, kjo pjesëmarrje po devalvohet përmes
një narrative të rrezikshme që tenton t’i paraqesë ata si faktor destabiliteti. Po abuzohet
me deatomizimin e politikës shqiptare – një dukuri që mund të jetë pjesë e një pluralizmi
të brendshëm, por që sot po përdoret për të fragmentuar imazhin e përfaqësimit dhe për
të delegjitimuar kontributin e shqiptarëve në procese shtetformuese.
Kjo qasje është jo vetëm e padrejtë, por edhe kontraproduktive për vetë shtetin. Në
vend që të shfrytëzohej angazhimi i kahershëm i shqiptarëve për stabilitet, për
respektimin e identitetit shtetëror të Maqedonisë së Veriut dhe për mbështetjen e
proceseve integruese evropiane, po tentohet të ndërtohet një skemë e re faji politik që
nuk i ndihmon askujt. Shqiptarët e kanë dëshmuar për dekada se janë faktor lojal dhe
shtetformues, dhe në këto momente historike, duhej të vlerësohej ky kontribut – jo të
zëvendësohej me aludime që shtrembërojnë të vërtetën.
Ka një moment kur politika ndalon së qeni garë për pozicione dhe fillon të bëhet
përgjegjësi për drejtimin. Ky moment ka ardhur. Dallimi midis një përfaqësimi simbolik
dhe një bashkëhartimi real të së ardhmes qëndron në thellësinë e reflektimit dhe
guximin për të thënë të vërtetën – edhe kur ajo nuk është e lehtë për t’u dëgjuar.
Të jesh pjesë e një qeverisjeje nuk është njëherësh të jesh pjesë e një zgjidhjeje.
Zgjidhja fillon kur ajo përfaqësim politik arrin të krijojë platforma të përbashkëta, që nuk
mbyllen brenda cikleve zgjedhore, por ndërtojnë urë për vizion kombëtar dhe
shtetformues. Përndryshe, roli shndërrohet në statist, ndërkohë që vendimmarrja e
vërtetë kalon diku tjetër – e padukshme, por shumë reale.
Nëse Marrëveshja e Ohrit e vitit 2001 do të ishte trajtuar me seriozitetin dhe
përkushtimin që meritonte, sot, pas më shumë se dy dekadash, diskutimi ynë do të
duhej të përqendrohej në avancimin e saj përmes mekanizmave të diskriminimit pozitiv
dhe thellimit të barazisë substanciale. Fatkeqësisht, mospërmbushja e afateve të
parapara, mungesa e vizionit politik dhe neglizhimi i natyrës së saj si një bazë identitare
dhe shtyllë e stabilitetit shtetëror, krijuan hapësirë që kjo marrëveshje të degradojë në
një mjet të instrumentalizuar për interesa të përkohshme politike. Në vend që të
shërbente si një platformë për zhvillim të qëndrueshëm shoqëror, ajo u banalizua dhe
shpeshherë u keqpërdor për arritje të pushtetit, duke e zhveshur gradualisht nga
përmbajtja e saj themelore. Përgjegjësia për këtë devijim i takon të gjitha hallkave të
politikbërjes që nga viti 2001 e deri më sot, të cilët, me veprime ose mosveprime,
kontribuuan në një rrjedhë të pasigurtë, të shoqëruar me tensione ndëretnike dhe
ndërfetare që, në vend të kapërcimit, janë thelluar. Shembujt më të fundit, si shfuqizimi i
mekanizmave të balancimit dhe ndërhyrjet në arkitekturën e gjuhës, nuk janë veçse
sinjale shqetësuese të një trajektore që, nëse nuk reflektohet me mençuri, rrezikon të
godasë vetë themelet e stabilitetit shtetëror dhe të mbyllë horizontet e perspektivës së
përbashkët. Është imperative që Marrëveshja e Ohrit të trajtohet jo si një kapitull i
mbyllur, por si një proces i gjallë dhe i domosdoshëm për bashkëjetesën, përndryshe
pasojat e kësaj moskujdesjeje do të rëndojnë mbi të ardhmen e përbashkët të shtetit.
Nëse politika shqiptare në Maqedoninë e Veriut vazhdon të operojë në logjikën e
ndarjes së të njëjtit segment, ajo rrezikon të humbasë mundësinë për të ndikuar në
ndërtimin e një shteti ku barazia nuk vjen si kompromis, por si parim. Bashkëhartimi i së
ardhmes, në këtë kuptim, nuk është thjesht një ideal – është një përgjegjësi që matet në
aftësinë për të bashkërenduar zëra, për të qartësuar qëllime dhe për të mos harruar se
koha ecën, por nuk kthehet.
Sot, Maqedonia e Veriut ndodhet në një udhëkryq ku shumëçka duket e qetë në
sipërfaqe, por shumëçka lëviz nën të. Në këto rrethana, vetëm ata që dinë ta lexojnë
këtë qetësi jo si paqe, por si sfidë, mund të ndërtojnë politika që qëndrojnë përtej të
përditshmes. Shqiptarët janë ndër ata që mund ta bëjnë këtë – nëse zgjedhin të jenë
faktor i qëndrueshmërisë dhe jo thjesht pjesë e ekuilibrave të përkohshëm.
Sepse historia nuk e ka zakon të presë ata që vonohen.
Shkup, 28 prill 2025