Mostrat hënore tregojnë prova se era diellore mund të jetë pas molekulave të ujit në sipërfaqen e hënës, sipas NASA-s. Rezultatet mund të hedhin dritë mbi mënyrën se si akulli i ujit mblidhet në ‘kurthet e ftohta’ të krijuara nga zona të errësirës së përhershme në polet e hënës.
Një eksperiment i ri i udhëhequr nga NASA sugjeron se shpërthimet e vazhdueshme të grimcave nga dielli mund të jenë duke krijuar molekula uji në hënë.
Lexo edhe:
‘Njerëzit mund të kuptojnë kafshët!’/ Google nis projektin me ndihmën e IA për të kuptuar gjuhën e delfinëve
Shkencëtarët kanë zbuluar gjurmë të molekulave të ujit, si dhe hidroksil (OH), një përbërës i ujit, në sipërfaqen e hënës nëpërmjet misioneve të ndryshme hapësinore. Burimi i këtij uji ka qenë për një kohë të gjatë një mister, megjithëse disa teori sugjerojnë si shkak aktivitetin vullkanik, daljen e gazeve nga thellësitë e regolit hënor (përzierja e shkëmbinjve dhe pluhurit në sipërfaqen e hënës), si dhe përplasjet me meteorë të vegjël.
Eksperimenti i ri i NASA-s, i përshkruar më 17 mars në revistën JGR Planets, teston një ide tjetër: se era diellore është shkaktari.
Era diellore është një rrymë e vazhdueshme e grimcave të ngarkuara që vijnë nga dielli me një shpejtësi mbi 1.6 milion km/orë. Ajo godet gjithçka në sistemin diellor, përfshirë Tokën, dhe shkakton aurora shumëngjyrëshe kur përplaset me molekulat në atmosferën tonë. Magnetosfera e Tokës na mbron nga pjesa më e madhe e kësaj “moti hapësinor”. Hëna, megjithatë, ka një fushë magnetike shumë të dobët dhe të pabarabartë, kështu që është më pak e mbrojtur.
Uji përbëhet nga atome hidrogjeni dhe oksigjeni. Shkëmbinjtë dhe pluhuri që përbëjnë sipërfaqen e hënës përmbajnë shumë oksigjen, por jo shumë hidrogjen. Era diellore përbëhet kryesisht nga protone, atome hidrogjeni pa elektron. Pa një fushë të fortë magnetike për ta mbrojtur, era diellore përplaset çdo ditë me sipërfaqen e hënës, duke e mbushur atë me protone që ‘vjedhin’ ose ‘huazojnë’ elektrone nga regoliti hënor për të formuar hidrogjenin e nevojshëm për krijimin e ujit.
Sipas NASA-s, uji që është zbuluar në hënë ndjek një model interesant, ai ndryshon në një cikël ditor. Zonat që ngrohen nga dielli e lëshojnë ujin si avull, ndërsa rajonet më të ftohta e mbajnë atë. Nëse burimi i ujit do të ishte, për shembull, përplasja me mikrometeorë, do të prisnim që sasia e ujit në zonat e ngrohta të vazhdonte të binte derisa të kishte përplasje të tjera. Por sasia e ujit e zbuluar kthehet në të njëjtin nivel çdo ditë, edhe pse një pjesë e tij humbet në hapësirë. Kjo e bën më të mundshme që era diellore të jetë shkaku.
Për ta testuar këtë teori, studiuesit simuluan efektet e erës diellore që godet hënën duke përdorur mostra regoliti hënor të mbledhura nga astronautët e Apollo 17 në vitin 1972. Ata ndërtuan një akselerator të vogël grimcash në vakum për të lëshuar “erë diellore artificiale” mbi mostrat për disa ditë, duke simuluar efektet e vërteta të erës diellore në Hënë për 80,000 vjet. Pastaj matën ndryshimet kimike në mostra, dhe zbuluan prova të pranisë së ujit që nuk ishte aty më parë.
“Gjërat bëhen emocionuese kur shohim që vetëm me tokë hënore dhe një përbërës bazë nga dielli, i cili gjithmonë lëshon hidrogjen, ekziston mundësia për të krijuar ujë,” tha Li Hsia Yeo, shkencëtar planetar në Qendrën Hapësinore Goddard të NASA-s dhe autorja kryesore e studimit.
Të kuptuarit se si formohet uji në Hënë është shumë e rëndësishme për misionet e ardhshme të astronautëve, sipas studiuesve. Akulli i ujit i ruajtur në polin jugor hënor mund të jetë një burim i rëndësishëm për astronautët, për shembull.
Rezultatet gjithashtu japin njohuri për ndërveprimin e erës diellore përtej hënës. Trupa të tjerë qiellorë që nuk kanë shumë atmosferë ose fushë magnetike gjithashtu goditen nga era diellore, kështu që studimi i këtyre mjediseve mund të na ndihmojë të kuptojmë proceset kimike qiellore që krijojnë ose shpërbëjnë ujin, një përbërës kyç për jetën. / Earth – Syri.net