Sot me fillim nga ora 10:00 do të mbahet seanca konstituive e Legjislaturës IX të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e dalur nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca e sotme ishte caktuar me vendim të presidentes Vjosa Osmani.

Seanca ka këtë rend të ditës: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, betimi i deputetëve, zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit do të duhej të propozohej nga LVV-ja, por që nuk kanë dhënë emra.

Ndryshe kryetari i Kuvendit dhe përfaqësuesit e subjekteve politike, në mbledhjen e fundit u dakorduan që konform Rregullores dhe praktikave të mëhershme, subjekti me numrin më të madh të deputetëve, përkatësisht Lëvizja Vetëvendosje, të ulet në ulëset e mesit të sallës plenare.

Në anën e djathtë të sallës, nga perspektiva e kryesuesit të seancës, do të ulet subjekti i dytë me radhë, Partia Demokratike e Kosovës, ndërsa në anën e majtë Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në ulëset e tjera do të ulen deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputetët nga radhët e komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera joserbe.

Seanca do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari (LVV) dhe deputetja më e re, Sala Jashari (PDK).

Deri dje deputetët e zgjedhur janë regjistruar në intervale të ndryshme kohore.