Kryeparlamentari Afrim Gashi ishte nikoqir i koleges sllovene Urshka Kllakoçar Zupançiq, e cila është në vizitë disa ditore në Maqedoninë e Veriut. Që të dy ishin unanim se raportet mes Maqedonisë dhe Sllovenisë janë në nivel të vërtetë, kuptohet me mundësi edhe për thellim më të madh. Zupançiq tha se Sllovenia mbetet mbështetëse e madhe e Maqedonisë në rrugën e saj europiane.
“Konfirmuam se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Maqedonisë dhe Sllovenisë kanë qenë gjithmonë të forta, të karakterizuara me miqësi të sinqertë, bashkëpunim shumëdimensional, mbështetje të parezervë dhe përkushtim të vazhdueshëm për forcimin e lidhjeve ndërmjet qytetarëve tanë”, deklaroi kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.
“Pres me padurim ditën kur mund ta mirëpresim Maqedoninë e Veriut si anëtare të barabartë të BE-së. Personalisht, besoj se kjo nuk duhet të jetë larg, sepse anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet të jetë më çështje nëse apo kur. Duhet të ndodhë shpejt”, u shpreh kryetarja e Kuvendit të Sllovenisë, Urska Kllakoçar Zupançiq.