Pas konferencës për media të koalicionit VLEN, në të cilën ata deklaruan se Arben Taravari dhe ASH është vetpërjashtuar nga ky koalicion dhe se po i shërbejnë rikthimit të BDI-së, ka reaguar Arben Taravari.

Ai thotë se nuk do të bie pre e provokimeve e atyre që duan spektakël politik, mirëpo do të qëndrojë mirënjohës ndaj çdo partie me të cilën kanë bashkëpunuar.

Reagimi i plotë:

“Fatkeqisht e dija që edhe ky moment do të futej në serialin e gjatë që ka filluar.

Unë sugjeroj që të përqëndrohet secili në misionin e përbashkët që është Mirëqënia e Shoqërisë. Nuk do të thotë se bëjmë rrugë të ndryshme dhe kthehemi papritur në të padëshirueshëm.

Politika e lodhshme e fajësimit dhe thashethemeve është e vjetër dhe nuk pi më ujë. Jam i lumtur dhe mirënjohës për çdo njeri apo parti me të cilën kemi punuar.

Dua të ruaj këto ndjesi të mira dhe nuk do të bie pre e provokimeve e atyre që duan spektakël politik”, ka shkruar Taravari.