Shkruan: Dr.Gazmend Elezi

Njeriu nuk lind i vetmuar por vetmia i ndodh kur të tjerët nuk dinë ta mbajnë. Kjo është zemra e teorisë së atashimit. Njeriu është ndërtuar për lidhje dhe kur këto lidhje thyhen, lindin forma të ndryshme të pasigurisë në shpirt, në mendje dhe në politikë.
Njeriu nuk rritet vetëm me bukë, por me ndjenjën se dikush kujdeset për të. Teoria e atashimit, një nga shtyllat e psikologjisë zhvillimore, na mëson se marrëdhënia jonë me botën fillon nga mënyra si jemi mbajtur në krahë jo vetëm fizikisht, por edhe emocionalisht. Nëse ai që duhet të na mbrojë është i papranishëm, i paparashikueshëm, ose i dhunshëm, atëherë ne zhvillojmë një lidhje të pasigurt me jetën dhe me të tjerët.

Kur shteti vepron si një aparat burokratik jo si një figurë prindërore – kujdestari kolektiv dhe është i pavetëdijshëm emocionalisht, i shkëputur ose thjesht jo i pranishëme. Krijohet një popullsi e rritur në boshllëk,qytetarë që mësojnë të mos presin asgjë nga shteti, që përballen me krizat si jetimë të braktisur në një shtëpi të përbashkët që nuk ndjehet si e tyre.

Në vend që shteti të jetë trualli ku individi ndërton veten, ai është kthyer në një peizazh të shpërndarë, ku shqiptarët, maqedonasit, turqit, romët dhe të tjerët ecin paralelisht, por rrallëherë bashkë.
Kjo nuk është shumëkulturalizëm – është izolim i ndërsjellë. Një lloj vetmie kolektive ku çdo komunitet përpiqet të mbijetojë pa ndihmën e tjetrit, e aq më pak të shtetit. Është një atashim i munguar jo sepse qytetarët nuk duan të ndihen pjesë, por sepse nuk e ndjejnë dot ngrohtësinë e pranisë institucionale.

Siç thotë filozofi Martin Buber: “Njeriu bëhet unë përmes ti-së.” Po kush është “ti”-ja e qytetarit të Maqedonisë së Veriut? A është shteti i tij një subjekt që përgjigjet, që sheh, që dëgjon? Apo një siluetë e largët që flet gjuhën e ligjit, por jo të ndjeshmërisë?

Krizat që përjeton vendi nga tragjeditë publike, deri te polarizimi politik nuk janë vetëm pasojë e keqqeverisjes. Janë simptoma të mungesës së lidhjes. Pa një lidhje emocionale me shtetin, qytetari ndjehet gjithmonë si i huaj në tokën e vet. Atëherë kërkon mbrojtje në identitetin etnik, në liderë paternalistë, ose në heshtje.

Dhe kjo heshtje është ajo që duhet të na frikësojë më shumë. Sepse nuk lind nga paqja, por nga dorëzimi. Nga bindja se nuk ka kush të të mbajë, as kur qan, as kur flet.

Maqedonia e Veriut ka nevojë për një shtet që di të mbajë. Jo të kontrollojë, jo vetëm të qeverisë, por të mbajë – si një prind që është aty edhe kur nuk flet, si një figurë që jep ndjesi të përkatësisë pa kushte. Kjo është mënyra e vetme për të shëruar ndarjen që nuk është vetëm politike, por filozofike: ndarja midis njeriut dhe strukturës që duhet ta përfaqësojë.

Sepse atje ku nuk ka atashim, nuk ka as shpresë.

Kjo është arsyeja pse sot kemi një shoqëri të lodhur, të ftohtë, të fragmentuar. Shqiptarët ndihen të huaj në shtetin ku janë qytetarë. Maqedonasit ndihen të tradhtuar nga elitat e tyre. Minoritetet e tjera ndihen të padukshme. Të gjithë bashkë – të vetmuar në një shtëpi që nuk i përqafon.

Kur ky atashim dështon, mbetet vetëm mekanizmi i mbijetesës. Në politik kjo shfaqet si nacionalizëm i ngushtë, si korruptim i marrëdhënies publike, si ikje drejt vendeve që ofrojnë më shumë siguri.

E emigrimi nuk është vetëm çështje ekonomike por është ikje nga një shtet që nuk është ndjerë kurrë si shtëpi.

Në vend që të kemi një shtet që na mban, kemi një strukturë që na administron në distancë, me gjuhë burokratike, dhe me emocione të ftohta. E kjo nuk është vetëm krizë politike, por edhe ekzistenciale.

Për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë, Maqedonia e Veriut nuk ka nevojë vetëm për reforma institucionale. Ka nevojë për afrim emocional midis shtetit dhe qytetarit. Për një lidhje të re që nuk bazohet në frikë ose përjashtim, por në siguri dhe ndjeshmëri. Një lidhje ku qytetari të ndjehet i parë, i dëgjuar dhe i mbajtur jo vetëm si votues, por edhe si njeri.

Sepse një shtet që nuk di të mbajë, është një shtet që nuk di as të ndërtojë.