Tifozat Kuq e Zi përmes një postimi në rrjetin social Facebook kanë reaguar ashpër ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për faktin se në ndeshjen ndaj Serbisë stadiumi nuk do të jetë i tëri i mbushur.

Sot (e martë) gjatë ditës FSHF-ja ka konfirmuar se ndeshja e ardhshme e Shqipërisë, e cila do të jetë ndaj Serbisë në ‘Arenën Kombëtare’ do të luhet me numër të kufizuar të tifozëve.
Kjo për shkak se FIFA ka dënuar FSHF-në për sjellje diskriminuese të tifozëve shqiptarë gjatë ndeshjes Shqipëri – Andorra.

Kjo nuk i ka pëlqyer aspak Tifozave Kuq e Zi të cilët për këtë vendim kanë fajësuar FSHF-në për të cilët kanë thënë se nuk kanë mbrojtur tifozët besnikë të kombëtares.

Reagimi i plotë i Tifozave Kuq e Zi:

“Ky është reagimi i vetëm i denjë për paaftësinë kronike dhe arrogancën e Federatës Shqiptare të Futbollit!

Në vend që të garantojë një atmosferë sportive dhe të mbrojë tifozët besnikë, në prag të ndeshjeve vendimtare të Kombëtares, FSHF zgjedh t’i përjashtojë ata. Më keq akoma, vë në lëvizje gjithë aparatin shtetëror kundër tifozëve shqiptarë, sikur të ishin kriminelë ordinerë.

Vendimi i FIFA-s për të dënuar FSHF-në është vetëm pasqyra e një sëmundjeje më të thellë – inkompetencës strukturore dhe mungesës së vizionit. Një institucion që nuk arrin të organizojë siç duhet një ndeshje futbolli, ka kurajon të ëndërrojë organizimin e një Kampionati Europian!

Manipulimi i vazhdueshëm me ndjenjat e tifozëve – herë me zhvendosje të ndeshjeve në Elbasan, herë me kërcënime për mbyllje sektorësh – ka pasur një qëllim të vetëm: t’i largojë ata që e ndjekin Kombëtaren kudo. Këtë herë, goditja është edhe më e ulët: penalizohen pikërisht ata tifozë të organizuar që janë treguar shembull sjelljeje dhe përkushtimi në stadiume.

Aftësia e vetme e kësaj federate të dështuar është rritja e çmimeve të biletave. Kjo është “strategjia” e tyre: të zhvasin tifozët e ndershëm për të mbuluar paaftësinë e vet.

Në vend që të marrin përgjegjësinë, ata zgjedhin rrugën më të lehtë: të “vrasin” futbollin shqiptar, duke ndëshkuar ata që e mbajnë gjallë pasionin për Kombëtaren.

Ky nuk është thjesht një dënim – është një pasqyrë e qartë e dështimit total të FSHF-së për të mbrojtur futbollin, tifozët dhe imazhin e Shqipërisë”, thuhej në reagimin e Tifozave Kuq e Zi.