Disa nga pacientët që pësuan në tragjedinë e Koçanës e që janë lëshuar për mjekim shtëpiak, paraqiten në Klinikën për Toksikologji, duke u ankuar për maramendje dhe kokëdhimbje – thotë Drejtori i Klinikës për Toksikologji, Andon Çibishev, në inervistën për Radio Evropa e Lirë.

Sipas tij, kjo është e pritshme, por ai druan nga komplikime të mundshme më serioze. Megjithatë, thotë se vende evropiane ofrojnë ndihmë për rehabilitimin e pacientëve të lënduar nga zjarri në Koçanë.

“Druaj se mund të paraqiten komplikime më serioze sikurse dëmtimi i memorjes, paaftësia për t`u koncentruar. Edhe për këta kemi plan se si do të trajtohen në të ardhmen. Është folur për këtë në Shtabin e Krizës ku marrin pjesë njerëz të shumë fushave. Ka oferta nga disa vende evropiane që të ndihmojnë në procesin e rehabilitimit afatgjatë, na ofrojnë qëndrimin e pacientëve në qendra të specializuara për rehabilitim në raste të këtilla të helmimin me monoksid karboni”

Viteve të fundit shëndetësia përballet me probleme serioze, nga mungesa e ilaçeve e deri te zjarri në Spitalin Modular në Tetovë. Sipas mjekut Çibishev, problemi kryesor qëndron tek mungesa e mjeteve financiare por edhe infrastrukturës moderne.

“Shëndetësia një kohë të gjatë është lënë pasdore, është vënë disi në plan të dytë. Shumë gjëra të padëshirueshme ndodhën në shëndetësinë e Maqedonisë që në mënyrë plotësuese ngarkuan situatën edhe ashtu të vështirë. Problemi kryesor në shëndetësinë e Maqedonisë është mungesa e parave, aparaturës moderne dhe infrastrukturës bashkëkohore”

Disa ditë pas tragjedisë në Koçanë, një pjesë e mirë e pacientëve që pësuan kaluan përmes Klinikës për Tosikologji, thotë Çibishev. Bëhet fjalë për pacientë me lëndime inhalatore apo që kishin thithur gazra helmues.

Në këtë Klinikë kanë kaluar mbi 40 pacientë, ku një pjesë e tyre për shkak të përkeqësimit ishin transferuar në klinika tjera kurse pjesa tjetër për mjekime jashtë vendit.

Pas relaksimit minimal të situatës pacientët sërish janë kthyer në Toksikologji për t`iu bërë observimi 24 orësh.