“Me hyrjen tonë në Qeveri, në Ministri trashëguam një situatë kaotike, pra një arkë bosh, subvencione të pashlyera, akte ligjore dhe nënligjore të paaprovuara”, theksoi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, duke iu përgjigjur një pyetjeje të gazetarit.

“Me të gjitha detyrimet e prapambetura që i trashëguam, mund të them lirshëm se janë realizuar pagesa prej rreth 8 miliardë denarëve për subvencione të papaguara dhe aktuale. Këto janë afro 130 milionë euro që kanë kaluar në llogaritë e bujqve nga të gjitha grupet e prodhuesve”, theksoi ministri.

Ai shtoi se kjo është edhe një tregues tjetër se kur punohet në mënyrë të përgjegjshme, të përkushtuar dhe me menaxhim të mirë, vlerësohet puna e bujqit maqedonas.

“Jemi në rrugën e duhur për të rikthyer besimin e bujqve ndaj Qeverisë dhe institucioneve. Këtë e kemi dëshmuar së bashku me kryeministrin Mickoski gjatë këtyre 10 muajve dhe kështu do të vazhdojmë edhe në periudhën e ardhshme”, theksoi ministri Tripunovski.

“Kjo është edhe një tregues tjetër që vërtet dëshirojmë që bujqësia të jetë një nga shtyllat kryesore ekonomike në shtetin tonë”, përfundoi ai.