Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se nuk ka në plan të heqë tarifat globale, pavarësisht ditës tjetër të turbullt në bursat botërore. Trump hodhi poshtë propozimin e Bashkimit Evropian për heqjen e tarifave reciproke për produktet industriale.
Në një përgjigje për gazetarët në Dhomën e Ovaltë, kur u pyet nëse mund të bëhej një pauzë për tarifat për të mundësuar negociatat, Trump tha: “Ne nuk po e shqyrtojmë këtë. Kemi shumë shtete që po vijnë për të negociuar marrëveshje me ne dhe ato do të jenë marrëveshje të drejta, dhe në disa raste do të paguajnë tarifa të konsiderueshme.”
Këto komente vijnë pas një dite të ndryshimeve të mëdha në bursën amerikane, pas kërcënimit të presidentit Trump për rritjen e tarifave, pavarësisht dëshirës së qartë të Wall Street për një qasje të kundërt. Trump gjithashtu hodhi poshtë propozimin e presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për heqjen e tarifave reciproke për produktet industriale, duke thënë se ai nuk ishte i mjaftueshëm.
Në vend të kësaj, Trump propozoi që shtetet e BE-së të importonin më shumë energji nga SHBA. Sipas tij, vendet evropiane do të duhet të blejnë energji në një sasi që është e barabartë me deficitin tregtar aktual të SHBA-së me BE-në. Ky deficit, tha Trump, “do të zhduket shpejt” si rezultat i importit të energjisë nga Shtetet e Bashkuara.
Presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyen, njoftoi se i ka ofruar presidentit amerikan “tarifa zero për zero për produktet industriale”, dhe shtoi se BE-ja është gjithmonë e gatshme për një marrëveshje të mirë. Megjithatë, BE shpreson se do të arrihet një zgjidhje përmes negociatave, ndërkohë që Komisioni dhe shtetet anëtare po përgatisin një sërë kundërmasash për të reaguar ndaj tarifave amerikane.
Kundër tarifat e BE-së pritet të hyjnë në fuqi gradualisht nga mesi i muajit prill.