Në një mesazh të fundit në rrjetin social Truth Social, presidenti amerikan, Donald Trump shprehu kritika të ashpra ndaj presidentit rus, Vladimir Putin për shkak të sulmeve të fundit raketore ndaj objektivave civile në Ukrainë.
Trump paralajmëroi se Rusia mund të përballet me presione të tjera ekonomike nëse nuk pranon të hyjë në bisedime për paqe.
“Jam thjesht duke u përpjekur të pastroj rrëmujën që më lanë Obama dhe Biden, dhe çfarë rrëmuje që është. Megjithatë, nuk ka asnjë justifikim për atë që Putin ka bërë këto ditë duke lëshuar raketa mbi zona civile, qytete dhe vendbanime. Po filloj të mendoj se ndoshta ai nuk dëshiron ta ndalë luftën, por thjesht po më mashtron, dhe se ndaj tij duhet vepruar ndryshe – përmes masave bankare apo sanksioneve sekondare? Po vriten shumë njerëz!”, u shpreh Trump.
Kjo deklaratë vjen pasi forcat ruse kryen sulme intensive me raketa dhe dronë në Ukrainë, ku humbën jetën 12 civilë dhe mbi 80 të tjerë u plagosën.
Më herët, 78-vjeçari kishte pohuar se lufta do të ishte shmangur nëse ai do të ishte president në atë kohë, por tani tregon gatishmëri për të ndërmarrë masa ekonomike për t’i dhënë fund konfliktit.
Edhe pse më parë lideri amerikan është kritikuar për afërsinë e supozuar me Putinin, retorika e tij më e fundit sugjeron një ndryshim në qasje.
Trump ka deklaruar gjithashtu më parë se nuk dëshiron “ta dëmtojë Rusinë” dhe se “e do popullin rus”, duke theksuar se qëllimi i kërcënimeve të tij është ta nxisë Putinin që të ndalojë luftën.
Ndryshe, Trump u takua gjatë ditës së sotme në Vatikan me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenksy, ku ky i fundit deklaroi se takimi shkoi shumë mirë.