Universiteti i Tetovës mori pjesë në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor që mbahet në Prishtinë

Universiteti i Tetovës është bërë pjesë e rëndësishme e realizimit të programit të Panairit
Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, që i zhvillon punimet prej 23-25 prill 2025, në
Prishtinë.
Kjo veprimtari mbahet për herë të katërt dhe organizohet nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e
Kosovës, Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit nga
Shqipëria.
Në ditën e dytë, Universiteti i Tetovës, para auditorit pjesëmarrës në këtë ngjarje me rëndësi për
arsimin, shkencën dhe kulturën shqiptare, është paraqitur me dy botime. Përfaqësuesit e UT-së,
Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar Prof.
Dr. Salajdin Salihu, Prof. Dr. Agon Memeti nga Zyra per shkencë dhe inovacion dhe Drejtoresha e
Qendrës për Paqe dhe Komunikim Transkulturor Mr. Sc. Donika Kamberi i promovuan disa prej
botimeve, si: veprat e themeluesit dhe Rektorit të parë historik të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmani
dhe botimin e Qendrës për Paqe “E ardhmja e Ballkanit Perëndimor pas agresionit Rus në Ukrainë:
Çfarë më pas?”
Organizatorët e këtij panairi, në ceremoninë e hapjes zyrtare, këtë ngjarje e kanë cilësuar një takim
që i përbashkon botimet e studiuesve shqiptarë dhe ofron mundësinë t’i shohin nga afër botimet
shkencore në një aktivitet unik dedikuar atyre.
Në përfundim, organizatorët nënvizuan se prania dhe kontributi i Universitetit të Tetovës në këtë
panair është një dëshmi e qartë e përkushtimit të tij ndaj dijes, kërkimit shkencor dhe promovimit të
vlerave akademike shqiptare. Ata e vlerësuan lart këtë institucion si një qendër e rëndësishme e
mendimit shkencor dhe si një partner të çmuar në ndërtimin e urave të bashkëpunimit mes
universiteteve dhe komunitetit më të gjerë intelektual shqiptar.