Në Gjykatën Themelore të Strugës, sot pritet të vazhdojnë proceset gjyqësore kundër kryetarit të komunës, Ramiz Merko, lidhur me emërimet e paligjshme të drejtorëve në shkollat fillore në territorin e Komunës së Strugës.
Në një nga lëndët janë bashkuar rastet e shkollave fillore në Llabunishtë, Radolishtë dhe Podgorcë, ndërsa për shkollën në Veleshtë dhe për SHF “Vëllezërit Miladinovci” në Strugë po zhvillohen dy procedura të veçanta gjyqësore.
Për rastin e shkollës “Zini Hani” në Veleshtë, përveç Merkos, të akuzuar janë edhe katër persona të tjerë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe falsifikim dokumentesh. Sipas aktakuzës, përveç se është emëruar në mënyrë të paligjshme si drejtoreshë, Egzona Shehu akuzohet edhe për falsifikim diplomash.
Në lëndën që ka të bëjë me SHF “Vëllezërit Miladinovci”, Merko ngarkohet për emërimin e paligjshëm të Albana Zhutës si ushtruese detyre dhe më pas drejtoreshë e shkollës, ndonëse ajo nuk i ka plotësuar kushtet ligjore – nuk ka qenë e punësuar në shkollë, nuk ka dhënë provimin për drejtor dhe nuk ka pasur certifikatë për njohuri të gjuhës angleze.
Dëshmitarët në këto raste, të cilët sipas gjykatësit Jordan Jovanov nuk janë paraqitur në seancat e mëparshme pa ndonjë arsye të arsyetueshme, sot pritet të sillen në gjykatë me asistencë të policisë.
Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme ndaj Merkos u mbajtën dy procese të tjera gjyqësore: njëri për blerjen e automjetit “Audi A6” për nevojat e komunës dhe tjetri për vendosjen e një pllake përkujtimore në ndërtesën komunale, pa autorizim ligjor. Ramiz Merko vazhdon të jetë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shkak të përfshirjes në korrupsion. Deri tani ndaj tij janë ngritur gjithsej nëntë aktakuza për keqmenaxhim dhe veprimtari të paligjshme në kuadër të funksionit publik.