Koalicioni VLEN njofton opinionin publik se sot është hedhur hapi i parë drejt bashkimit të plotë politik, me vizion të përbashkët dhe strukturë të unifikuar, si një forcë e vetme që paraqet shpresën, dinjitetin dhe të ardhmen e shqiptarëve në këtë vend.

Në takimin e mbajtur sot, është themeluar Kryesia e përbashkët e VLEN-it, si organi i parë drejtues që do të koordinojë të gjitha aktivitetet politike dhe organizative në nivel koalicioni.

Duke filluar nga sot, hyn në fuqi moratoriumi mbi aktivitetet publike të partive politike pjesëmarrëse në VLEN, duke bërë që të gjitha daljet dhe veprimet politike të realizohen ekskluzivisht nën emrin, logon dhe përfaqësimin unik të VLEN-it.
Në vazhdim të procesit të konsolidimit të strukturës, në takimet e ardhshme do të ngrihen edhe organet e tjera të përbashkëta, përfshirë Drejtuesit e VLEN-it si dhe Shefi i Shtabit Zgjedhor, i cili do të udhëheqë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme.

Grupi parlamentar i VLEN-it do të vazhdojë funksionimin me deputetët aktualë, të cilët mbështesin këtë proces unifikimi dhe janë të përkushtuar t’i japin forcë zërit të përbashkët të shqiptarëve.