VMRO-DPMNE pyet LSDM-në Kur është arrestuar për herë të fundit një anëtar i sigurimit të kryeministrit?

Pavarësisht nëse ka qenë anëtar i LSDM-së, VMRO-DPMNE-së apo pjesë e sigurimit të kryeministrit, për ata që shkelin ligjin nuk do të ketë mëshirë, deklaron partia në pushtet, duke theksuar se ligji vlen njësoj për të gjithë.
Pas akuzave të LSDM-së për arrestimin e një oficeri policie dhe anëtari të sigurimit të kryeministrit Hristijan Mickoski, VMRO-DPMNE ka reaguar ashpër duke thënë se LSDM po bën akuza vetëm për të thënë diçka, në vend që të mbështesë aksionin e MPB-së kundër abuzimeve.
“Pas gjithë asaj që i bënë Maqedonisë, është e vështirë për LSDM-në të kuptojë luftën kundër kriminalitetit. Kur është arrestuar për herë të fundit një anëtar i sigurimit të kryeministrit? Kujtojmë se LSDM dhe Zaev kishin rastin e famshëm ‘Sasho do të qëlloj’, një truprojë kryeministrore nga Strumica me disa kallëzime për dhunë të rëndë, i cili nuk u hetua dhe nuk u dënua kurrë. LSDM-së nuk i pengonte që BDI kontrollonte rrugët e Shkupit dhe bashkëpunonte me klanet mafioze, të cilët tani janë pas hekurave, duke shkatërruar jetë përmes zhvatjes, drogës, vrasjeve dhe fajdesë. Atëherë LSDM heshti dhe bashkëpunoi me ta, por tani i pengon që po arrestohen të gjithë ata që nuk sillen me përgjegjësi ndaj detyrës”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Nga partia në pushtet shtojnë se akuzat e LSDM-së nuk do t’i ndalin në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimeve, të cilat, sipas tyre, janë bërë një praktikë e përforcuar gjatë shtatë viteve të qeverisjes së LSDM-së.