Venko Filipçe është vazhdimësi e mënyrës së ushtrimit të politikave të Zoran Zaevit, ndërsa ish-zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi është mishërimi i kësaj praktike. Kështu deklaron VMRO-DPMNE përmes një komunikate për opinionin.
“A është praktikë apo stil funksionimi në LSDM nxjerrja e dokumenteve të klasifikuara nga institucionet dhe përdorimi i tyre më pas për shantazhe dhe keqpërdorime? Vetë Fatmir Bytyqi, në një deklaratë për mediat lidhur me grabitjen në shtëpinë e tij, tha se i është marrë një dosje me dokumente të klasifikuara. Bytyqi duhet t’i përgjigjet opinionit se për çfarë dokumentesh bëhet fjalë, si kanë përfunduar ato në kasafortën e tij personale, për çfarë arsye i ka poseduar dhe për çfarë do t’i shërbenin ato? A posedon ai certifikatë sigurie, pasi dokumentet e klasifikuara që merren nga ndonjë organ nuk mund të posedohen nga persona pa certifikatë sigurie. Bytyqi duhet të përgjigjet nëse bëhet fjalë për përmbajtje që përfaqëson sekretin më të lartë shtetëror? Dhe nëse publikimi eventual i tyre do të rrezikonte sigurinë e shtetit dhe institucioneve?”, pyet VMRO-DPMNE.
Duke marrë parasysh se funksionarët shtetërorë nuk kanë të drejtë të nxjerrin jashtë sekretet shtetërore dhe dokumentet e klasifikuara nga institucionet ku ato ruhen dhe janë të mbrojtura, VMRO-DPMNE i bën thirrje LSDM-së dhe Bytyqit të informojnë menjëherë organet për çfarë lloj informacioni bëhet fjalë.
“Bytyqi nuk ka pasur të drejtë të posedojë dokumente të tilla në kasafortën e tij shtëpiake. Sa ligje ka shkelur Bytyqi? I bëjmë thirrje Prokurorisë Publike të nisë procedurë dhe të hetojë rastin me dokumentet e vjedhura. Duhet të ketë përgjegjësi,” përfundon deklarata e partisë opozitare.