Ka nisur seanca e tetë konstituive.

Edhe sot, do të tentohet të votohet për kryetare të Kuvendit, kandidatja e propozuar nga partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, deputetja Albulena Haxhiu.

Në pesë seanca të kaluara, Opozita nuk e ka votuar Haxhiun për kryeparlamentare. Njësoj pritet të ndodhë edhe sot, njofton Klankosova.tv.

VV ngul këmbë: Haxhiu propozohet sërish për kryeparlamentare

Hera e gjashtë. Emri i njëjtë. Edhe sot, Lëvizja Vetëvendosje propozoi Albulena Haxhiun për kryeparlamentare, raporton Klankosova.tv.

Glauk Konjufca i VV-së propozoi që të votohet Haxhiu për postin e kryetares së Kuvendit, ndonëse për pesë herë nuk i mori votat e nevojshme.

Në vazhdimet paraprake të seancës konstituive, ajo ka marrë vetëm 57 vota për apo katër më pak sesa kërkohen që të zgjidhet në këtë post.

Votimi tashmë po zhvillohet dhe pas pak jepet rezultati.

“Nëse ndodh ndërrimi i kandidatit, atëherë mund të lëvizë diçka”, thotë Haradinaj

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se situata politike nuk ka ndryshuar nga seancat e kaluara. Ai para mediave deklaroi se vetëm një ndërrim i kandidatit për kryeparlamentar mund të sjellë zhvillime të reja.

“Nëse ndodh ndërrimi i kandidatit, atëherë mund të lëvizë diçka dhe ne do të votojmë”, deklaroi ai.

Limaj: S’ka lëvizje, situata do jetë e njëjtë – ky është realiteti

Kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj u deklarua para mediave pak para fillimit të seancës konstituive.

Ai tha se nuk ka parë ndonjë ndryshim dhe sipas tij, edhe sot situata do jetë e njëjtë sikur të dielën.

“Nuk ka ndonjë lëvizje. Besoj që edhe sot situata do të jetë e njëjtë”, u shpreh Limaj, njofton Klankosopva.tv.

“Partia fituese duhet të bëjë përpjekje për të bërë shumciën parlamentare, koalicionin qeverisës edhe për parlament edhe për qeveri”, tha ai.

Haradinaj tregon arsyen pse mungoi në seancën e kaluar konstituive

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se partia e tij nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket votimit të Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Poashtu, ai para mediave tregoi arsyen pse mungoi në seancën e kaluar konstitutive.

“Nuk është monotoni, është nder me ardh në Kuvend por ka qenë përvjetori i Masakrës së Mejës dhe jam i asaj zone, shumica e atyre njerëzve janë familje. Shfrytëzova rastin të qëndroja në përvjetorin e luftëtarëve. Dita e të pagjeturve”.

“Ka kaluar shumë kohë nga lufta, por janë disa data që janë vështirë t’i anashkalojmë”, tha kreu i AAK-së, njofton Klankosova.tv.

VV-ja nuk e ndryshon emrin e kandidatit për kryeparlamentar, flet Murati

Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati ka thënë se propozimi i kësaj partie për kandidatin për kryeparlamentar mbetet i njëjtë.

“Lus edhe njëherë të gjitha partitë që me votën e tyre të marrin pjesë dhe të ndihmojnë në konstituimin e Kuvendit sepse kjo është detyrë e të gjithë deputeteve sipas Kushtetutës”,tha ai.

Kandidatja e këtij subjekti politik për kryeparlamentare Albulena Haxhiu, nuk po arrin t’i sigurojë votat për ta marrë këtë post.

Kurti s’ndryshon, kalon i heshtur para gazetarëve

Kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Albin Kurti nuk ka ndryshuar sa i përket raportit të tij me gazetarët të cilët vazhdimisht raportojnë nga Kuvendi sa herë thirret një seancë e re konstitutive.

Edhe sot, kryetari i VV-së para tyre kaloi i heshtur, njofton Klankosova.tv.

Haziri: LVV duhet të mendojë deputetin e parë i cili është më i pranueshëm

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, deklaroi se nuk ka marrëveshje për qeveri dhe se Kuvendi po mbahet peng.

Me të mbërritur për seancë konstituive ku pritet të votohet propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për kreun e Kuvendit, ai para gazetarëve u shpreh se për të dhe LDK-në partia fituese duhet të mendojë deputetin e parë i cili është më i pranueshëm, pasi siç tha, vetëm propozimi nuk është i mjaftueshëm.

Ndërkaq i pyetur lidhur me rolin e presidentes në raste të tilla, Haziri tha se ajo nuk ka asnjë detyrë në këtë çështje.

“Ajo vetëm duhet të garantojë funksionimin e institucionit. Ajo duhet të rrijë në këndin e vet dhe të mos përzihet. Ajo nuk mundet të negociojë emrin e një partie”, tha Haziri.

Sveçla: Haxhiu sërish kandidate për kryetare të Kuvendit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, konfirmoi se Albulena Haxhiu do të jetë sërish e propozuar nga partia e tij për t’u votuar për kryetare të Kuvendit të Kosovës, edhe gjatë seancës së sotme konstituive.

Këtë ai e tha në momentin kur mbërriti në objektin e Kuvendit, duke mos dhënë asnjë detaj tjetër para gazetarëve.

Zemaj: Kurtit po i konvenon kjo situatë

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj e ka përsëritur se kjo parti nuk do të ndryshojë qëndrim sa i përket votimit të Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Ai tha se heshtja e Albin Kurtit tregon se po i konvenon kjo situatë.

“Nuk ndryshojmë qëndrim”, tha Zemaj.

“Papërgjegjësi e tij, nuk ka ndonjë deklarim nga ana e tij. Paaftësi për të krijuar numrat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe shumicë parlamentare që siguron qeverinë e ardhshme të Kosovës”, u shpreh ai, njofton Klankosova.tv.

Kurti ende s’ka arritur në Kuvend, Haxhiu “çele guri

Kryeministri i dorëhequr, Albin Kurti ende nuk ka arritur në Kuvend për seancën e tetë konstitutive.

Kështu ka raportuar gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Bellagoshi e cila po qëndron në anën tjetër të Kuvendit.
Ajo tregoi se para pak minutash ka arritur kandidatja e VV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu e cila nuk e ka thënë asnjë fjalë.

Ndërkohë, deputeti Hekuran Murati është deklaruar se propozimi mbetet i njëjtë për deputetët, pra Haxhiu për kryeparlamentare.

Peci: Propozimi mbetet i njëjtë – Haxhiu për kryeparlamentare

Deputeti Faton Peci ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje nuk heq dorë nga kandidimi i Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit.

Ai para mediave tha se është e padrejtë që partitë e tjera që nuk e kanë fituar të drejtën për të propozuar emrin e kryetarit të Kuvendit, të kërkojnë të drejtën e tyre brenda VV-së dhe partnerëve të saj, njofton Klankosova.tv.

“Propozimi mbetet i njëjtë. Sa më shpejt që Opozita bindet që është e drejta ekskluzive e Vetëvendosjes për emrin e kryetarit të Kuvendit, do të kemi zhbllokim të Kuvendit”, tha Peci.

Pak deputetë arrijnë në Kuvend pak para fillimit të seancës konstituive

Numër i vogël i deputetëve kanë arritur në Kuvendin e Kosovës pak para fillimit të seancës konstituive.
Kështu ka raportuar gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani e cila po raporton nga oborri i Kuvendit.

Ajo tha se për dallim nga herët e tjera, në këtë kohë ka numër më të vogël të deputetëve që kanë arritur, pasi herave të tjera kishte më shumë.

Deri tani, në Kuvend kanë shkruar Nait Hasani, Rozeta Hajdari dhe Bekë Berisha.