Forcat ukrainase kanë goditur rajonin rus të Kurskut me dhjetëra dronë, duke shkaktuar vdekjen e një gruaje dhe plagosjen e nëntë personave.
Ministria ruse e Mbrojtjes, e cila zakonisht publikon vetëm të dhëna për numrin e dronëve të rrëzuar dhe jo të atyre të lëshuar nga Ukraina, njoftoi se gjatë natës janë rrëzuar 109 dronë mbi rajonin e Kurskut.
“Rajoni i Kurskut ishte nën një sulm masiv nga armiku gjatë natës. Fatkeqësisht, një grua 85-vjeçare ka humbur jetën,” njoftoi administrata e rajonit përmes aplikacionit Telegram.
Si pasojë e sulmit me dronë, një ndërtesë shumëkatëshe është dëmtuar, dhe disa apartamente janë përfshirë nga zjarri. Kryetari në detyrë i qytetit të Kurskut, Sergej Kotlyarov, tha në Telegram se banorët janë evakuuar në një shkollë të afërt.
Dronët goditën gjithashtu një garazh të ambulancës, duke dëmtuar 11 automjete.
Të hënën në mbrëmje, tre persona humbën jetën në këtë rajon si rezultat i një tjetër sulmi me dronë ukrainas, njoftuan autoritetet ruse.
Sulmi vjen pas një sulmi me raketa ruse në qytetin ukrainas Sumi gjatë fundjavës, ku humbën jetën 35 persona.