Lëvizja ZNAM është duke formuar një ekip negociator për bashkëpunim me partitë politike dhe në kuadër të partneritetit qeveritar tashmë po i fillojmë bisedimet me partnerin tonë qeveritar VMRO-DPMNE. Kështu ka njoftuar në konferencën e sotme zëdhënësi i Lëvizjes ZNAM, Nikolla Memov.
Sa i përket pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale, ai tha se kryesia e partisë po mendon pjesëmarrjen e pavarur në nivel të listave për këshilltarë, ndërsa sa i përket bashkëpunimit në përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë të komunave në komuna, po mendon bashkëpunimin dhe mbështetjen e ndërsjellë me VMRO-DPMNE-në.
Ai, megjithatë, theksoi se kandidatët e ZNAM-it do të jenë kandidatë të pavarur, të mbështetur nga VMRO-DPMNE dhe koalicioni i tyre. Deri më tani, siç tha ai, kanë biseduar ekskluzivisht me koalicionin VMRO-DPMNE.
I pyetur se a është e mundur mbështetja dhe koalicioni me një parti tjetër, ai u përgjigj se përfundimi dhe bashkëpunimi për një mbështetje të tillë të mundshme në zgjedhjet lokale do të vendoset organet e partisë.
I pyetur nëse ministri aktual i Shëndetësisë Arben Taravari duhet të jetë jashtë kabinetit qeveritar, pas turbulencave në “VLEN”, ai tha se qëndrimi i ZNAM-it është shumë i qartë, se është çështje e brendshme e koalicionit “VLEN” dhe pozicioni i partisë së Taravari në qeveri varet nga qëndrimi i kryeministrit.
Së fundmi, po flitet në opinion edhe për rikonstruim të qeverisë, dalje nga qeveria të fraksionit të Arben Taravarit, respektivisht prishje te koalicionit VLEN. Dhe krejt kjo, si shkak i zgjedhjeve lokale, të planifikuara për muajin tetor. Jo gjithë partitë politike në koalicionin qeveritar mendojnë se bashkëpunimin në nivel qendror duhet ta zbatojnë edhe në atë lokal.
Koalicionin qeveritar tani për tani, e përbëjnë: VMRO-DPMNE, VLEN dhe ZNAM. Partia më e madhe VMRO-DPMNE është e përfaqësuar me 58 deputetë në kuvend, VLEN me 13 dhe ZNAM me 6 deputetë.