Shkup, 15.05.2025. Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti, së bashku me kryetarin e komunës së Çairit Visar Ganiu, morën pjesë në fillimin e punimeve ndërtimore për rindërtimin e sistemit të ujësjellësit dhe kanalizimit në lagjen Dizhonë, komuna e Çairit, në vlerë prej 88 milionë denarë grant qeveritar.
Mexhiti, para banorëve të pranishëm theksoi se me realizimin e këtij mega-projekti në vlerë prej afro 1.5 milionë euro, do të realizohet rekonstruksioni i rrjetit të ujësjellësit, kanalizimit dhe rrjetit atmosferik në rrugët 15 dhe 17, një projekt që do të lidhë 16 rrugë në lagjen Dizhon me ujësjellës të ri dhe kanalizim.
‘Vetëm me këtë thirrje vitin e kaluar, Çairi mori gati 3 milionë euro nga Qeveria, ndërsa në fillim të këtij viti u morën mbi 8 milionë euro në projekte, që do të thotë se në 10 muaj qeverisje, kemi ndarë mbi 11 milionë euro në grante për Komunën e Çairit, nga 0 denarë të dhënë nga Qeveria e mëparshme në vitin 2022, 2023 dhe gjysmën e parë të vitit 2024, deri në rënien e Qeverisë së korruptuar me zyrtarë në listën e zezë amerikane”, tha Zëvendëskryeministri i Parë dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Izet Mexhiti.
Mexhiti theksoi se Qeveria po investon në të gjitha komunat dhe i përfundon punë që duhej të ishin përfunduar shumë më herët, dhe mori si shembull komunën e Çairit, për të cilën, sipas tij, kishte një bllokadë 3-vjeçare.
Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, shprehu falënderimin ndaj Qeverisë dhe zëvendëskryeministrit të Parë dhe ministrit të Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, për mbështetjen në përmirësimin e kushteve të jetesës për banorët e Komunës së Çairit.
Ky projekt është pjesë e nënprogramit AA për projekte infrastrukturore në komuna për vitin 2024 nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me 100% fonde granti nga Qeveria.