Një djalë trembëdhjetë vjeçar humbi jetën në një aksident trafiku midis dy mopedëve në fshatin Llazhan të Prilepit. Ministria e Punëve të Brendshme informoi se dy mopedët ishin pa targa, dhe drejtoheshin nga djali 13-vjeçar që ndërroi jetë dhe një i mitur 14-vjeçar, të dy banorë të fshatit, transmeton Portalb.mk.

“I mituri 13-vjeçar vdiq nga plagët e marra në aksident, dhe vdekja e tij u konfirmua nga mjeku në Spitalin e Qytetit të Prilepit, ndërsa i mituri tjetër pësoi lëndime të rënda dhe nuk është në gjendje të rrezikshme për jetën”, njoftuan nga MPB.

Një inspektim u krye nga prokurori publik kompetent dhe një ekip inspektimi nga Departamenti i Punëve të Brendshme i Prilepit, ndërsa trupi i të miturit të ndjerë u dorëzua për autopsi.

Aksidentet ku të miturit janë viktima janë bërë të shpeshta në RMV, kujtojmë se javë më parë, në Çair të Shkupit në rrugën “Cvetan Dimov”, jetën e humbi një 16-vjeçar nga Shkupi që po drejtonte një motoçikletë “Piaxho Beverli”, ndërsa një 14-vjeçar nga Shkupi që po drejtonte një skuter elektrik u lëndua në aksident.