Mediat gjermane kanë zbuluar detaje të reja rreth aksidentit tragjik rrugor që ndodhi mëngjesin e ditës së sotme pranë qytetit Koblenz, në Gjermani, që i mori jetën 3 shqiptarëve dhe mbetën të plagosur disa të tjerë.
Sipas Bild, viktimat janë një burrë 53-vjeçar dhe dy gra, të moshës 47 dhe 65 vjeç. Raportimet tregojnë se ata së bashku me 6 persona të tjerë mes moshës 20 dhe 66 vjeç po ktheheshin nga një festë familjare në Hesse.
Aksidenti ndodhi rreth orës 3:05 të mëngjesit, sipas policisë. Gjetjet fillestare tregojnë se një minibus me nëntë vende doli nga rruga dhe u përmbys. Në aksident nuk u përfshinë automjete të tjera, sipas policisë gjermane. Megjithatë, një makinë tjetër kaloi mbi “rrënoja” pas aksidentit.
Shkaku i aksidentit mbetet i paqartë. Identitetet e disa prej personave në minibus ende nuk janë gjetur. Policia tha se përveç shqiptarëve në automjet kishte edhe shtetas të huaj.
Personeli i emergjencës në vendin e aksidentit në Rheinland-Pfalz u trondit gjithashtu nga numri i viktimave.
“Është një aksident vërtet i tmerrshëm”, i tha një zëdhënës i policisë Agjencisë Gjermane të Shtypit.
Autostrada fillimisht u mbyll plotësisht midis Koblenzit dhe Ochtendungut herët këtë mëngjes pasi operacionet e shpëtimit zgjatën me orë të tëra.