Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj avokates Shemsije Shehollit dhe përmbaruesit Isak Islami, të cilët akuzohen për përfshirje në vepra penale që lidhen me korrupsionin dhe keqpërdorimin e pozitave të tyre zyrtare.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, Sheholli, në cilësinë e avokates dhe përfaqësueses së një pale të dëmtuar, dyshohet se ka ushtruar ndikim të kundërligjshëm, vepër kjo e paraparë sipas nenit 424 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), njofton Klankosova.tv.

Ndërsa, Isak Islami, në cilësinë e përmbaruesit privat, akuzohet se ka keqpërdorur detyrën zyrtare për përfitim personal dhe për palë të treta, duke tejkaluar kompetencat dhe duke mos përmbushur detyrat e tij zyrtare. Me këto veprime, ai dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, sipas nenit 414 paragrafi 2 të KPRK-së.

Të pandehurit dyshohet se kanë përfituar kundërligjshëm një shumë prej 25 mijë euro, ndërkohë që palës së dëmtuar i është shkaktuar dëm material në këtë vlerë./Klankosova.tv