Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka ngritur akuzë ndaj një 59-vjeçari, i cili ngarkohet për sulm seksual ndaj një të mituri. Nga Prokuroria thonë se burri, më 24 gusht të vitit të kaluar, në parkun e Çairit, ka filluar të prekë një fëmijë, i cili në atë moment kishte mbushur 15 vjet. Kur ka filluar ta prekë, fëmija ia ka kapur dorën dhe e ka kërcënuar se do të thërrasë policinë. I akuzuari në atë moment ka tentuar të ikë dhe është fshehur në hyrje të një ndërtese, pas çka fëmija e ka mbyllur derën dhe ka thirrur policinë e cila e ka arrestuar të akuzuarin.
Nga Prokuroria shtojnë se për sigurimin e të akuzuarit gjatë procedurës, janë në fuqi masa kujdesi të caktuara nga gjykatësi i procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale në Shkup, të cilat përfshijnë ndalim për të lënë vendbanimin, detyrim për t’u paraqitur para organit shtetëror përkatës, marrje të pasaportës dhe dokumenteve të tjera për kalimin e kufirit shtetëror dhe ndalim për të kontaktuar me të dëmtuarin.
Edhe pse në njoftimin e sotëm të Prokurorisë nuk është theksuar për cilin rast konkret bëhet fjalë dhe nëse për të është informuar më parë opinioni, megjithatë, sipas datës së ngjarjes dhe përshkrimit të saj, bëhet fjalë për rastin në të cilin i dyshuari është Daim Hiseni, babai i ish-zëdhënësit të koalicionit VLEN, Fari Hiseni. Ky i fundit atëherë njoftoi se do të ngrijë aktivitetet e tij politike, sepse siç tha, nuk dëshiron të krijojë përshtypjen se përmes funksionit që ushtron – mund në çfarëdo mënyre të ndikojë te institucionet që po e hetojnë rastin.