Ambasada e Gjermanisë ka thënë se Berlini mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës – por se për këtë gjë nevojitet veprim nga qeveria kosovare në zbatimin e zotimeve të marra në dialogun e ndërmjet nga BE mes Kosovës dhe Serbisë.
“Gjermania mbetet fort e përkushtuar që Kosova të anëtarësohet në Këshillin e Evropës – dhe synimi është i arritshëm. Por, Kosovës i duhet të veprojë tani, përfshirë përmbushjen e zotimeve nën dialogun e lehtësuar nga BE”, shkroi ambasada.
Lexo edhe:
VV-ja s’heq dorë nga votimi i fshehtë, dështon edhe tentativa e 23-të për konstituimin e Kuvendit
Edhe gjatë ditës së djeshme, Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë faktin që tani BE-ja ka një tjetër përbërje.
Ai tha se sikurse Asociacioni, ashtu edhe çështja e pronës së Manastirit të Deçanit janë nënkuptuar si kompromise që Kosova duhet t’i bëjë në raport me Serbinë. Megjithatë, Rohde deklaroi se kjo nuk qëndron.
Sipas tij, këto janë detyra shtëpie për Kosovën që është dashur të bëhen e nuk janë kryer, duke shtuar se Kosova duhet ta përmirësojë besimin dhe pastaj të ecë përpara. Ai bëri thirrje edhe për formim të shpejtë të institucioneve.
“Kemi një përbërje të re në BE tani, shfrytëzojeni rastin e keni një dritare të hapur. Lutja ime përsëri është bëjeni detyrat dhe shfrytëzojeni këtë rast dhe këtë e filloni duke formuar institucionet e reja”, tha Rohde