Zëvendëskryeminsitri për qeverisje të mirë Arben Fetai përmes një postimi ka ndarë lajmin se qeveria e maqedonisë së veriut ka miratuar ligjin për pushtetit lokal, risi të rëndësishme për transparencë, përfshirje qytetare dhe efikasitet administrativ
Në mbledhjen e sotme, Qeveria miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Pushtetin Lokal. Pas miratimit në Kuvend, këto ndryshime do të sjellin përmirësime thelbësore në funksionimin e komunave, duke rritur transparencën, përfshirjen qytetare dhe efikasitetin administrativ.

1.Transparencë dhe antikorrupsion
Për herë të parë përfshihen në ligj norma për luftën kundër korrupsionit, transparencën dhe qasjen e lirë në informata me karakter publik.
Veç kësaj, të gjitha të dhënat dhe vendimet e këshillit komunal dhe organeve tjera komunale do të publikohen në faqen zyrtare të komunës, në formate digjitale të qasshme.
2.Policia komunale
Ligji mundëson krijimin e një shërbimi komunal për ruajtjen e rendit publik.
3.Referendum qytetar për shkarkimin e Kryetarit të Komunës
Nëse 20% e qytetarëve kërkojnë mocion për shkarkimin e kryetarit, këshilli komunal detyrohet të shpallë referendum për këtë çështje.
4.Ulje e pragut për iniciativat qytetare
Pragu i qytetarëve të nevojshëm për dorëzim të një iniciative që detyron shqyrtim nga Këshilli Komunal ulet nga 10% në 5%.
5.Përshpejtim i afateve për shqyrtim të iniciativave dhe ankesave
Afati për shqyrtimin e iniciativave ulet nga 90 në 60 ditë; për ankesat dhe propozimet nga 60 në 15/30 ditë.
6.Përfshirja qytetare në buxhet dhe dokumente strategjike
Qytetarët fitojnë të drejtën ligjore për t’u përfshirë në hartimin e buxhetit komunal dhe dokumenteve të tjera zhvillimore.
7.Digjitalizimi i shërbimeve komunale
Komunat obligohen të ofrojnë më shumë shërbime në mënyrë digjitale, duke përmirësuar qasjen dhe efikasitetin.
8.Pyetje nga këshilltarët për të gjithë bartësit e funksioneve lokale
Këshilltarët komunalë mund të drejtojnë pyetje jo vetëm Kryetarit të Komunës, por edhe funksionarëve të tjerë lokalë.
9.Raport vjetor i Kryetarit të Komunës
Kryetari detyrohet të raportojë të paktën një herë në vit para Këshillit Komunal për punën e tij.
10.Numri i këshilltarëve përcaktohet sipas regjistrimit të fundit
Numri i anëtarëve të Këshillit Komunal do të caktohet nga Qeveria në bazë të të dhënave të fundit të regjistrimit të popullsisë.