Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka folur hapur mbi arsyet që e çuan subjektin e tij të braktisë koalicionin VLEN dhe të ndërpresë bashkëpunimin në kuadër të qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Në një intervistë për Nacionale, Taravari tha se vendimi nuk ishte as spontan, as emocional, por i ndërtuar mbi një analizë të gjatë të situatës politike dhe sjelljes së partnerëve të deridjeshëm.

“Kur mungon respekti për qytetarin që të ka dhënë votën, çdo projekt politik humbet kuptimin. Ajo që pamë brenda VLEN ishte arrogancë politike, jo partneritet i barabartë,” deklaroi Taravari.

Ai shpjegoi se vendimi për të dalë me lista të veçanta për zgjedhjet këshilltare nuk u mirëprit nga partnerët e koalicionit dhe, përkundrazi, u shoqërua me akuza dhe tensione që, sipas tij, e bënë bashkëpunimin të pamundur.

Megjithëse i vetëdijshëm se largimi ka shkaktuar zhgënjim te një pjesë e anëtarësisë dhe mbështetësve të koalicionit, Taravari është i bindur se ky është hapi i duhur për të ruajtur integritetin politik dhe për të mos u bërë pjesë e një qeverisjeje që nuk pasqyron vullnetin e plotë të shqiptarëve në vend.

“Aleanca për Shqiptarët do të vazhdojë e vetme në zgjedhjet lokale, me synimin për të forcuar lidhjen me qytetarët dhe për të ndërtuar një alternativë të ndershme përfaqësimi,” përfundoi ai.