Benizar Ganiu

Vendimi i fundit i Arben Taravarit për t’u larguar nga qeveria dhe për të kaluar në opozitë, në një moment kyç për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, përbën aktin më të qartë të mungesës së vizionit dhe qendrimit politik. Nuk është hera e parë që Taravari tradhton besimin e votuesit, por këtë herë, tradhtia e tij ka pasoja të rënda për të ardhmen e përfaqësimit shqiptar dhe përpjekjet e sinqerta për t’i dhënë fund qeverisjes së korruptuar dhe të konsumuar të BDI-së.
Ky është një politikan që nuk njeh qendrueshmëri, që mer vendime të momentit – ad hoc – pa analizuar pasojat që ato sjellin për qytetarët dhe interesin kombëtar. Në vend se të ishte shtylla e bashkimit të votës shqiptare, ai ndryshoi rrugën në një moment kritik, duke humbur sinergjinë elektorale që ishte ndërtuar me aq shumë mund. Taravari është larguar për herë të dytë nga një strukturë qeveritare, gjithmonë për interesa personale dhe jo mbi baza programore apo politike. Kjo dëshmon për një profil politikanësh që nuk ka as strategji, as përkushtim, as një ide të qartë për rrugën që duhet ndjekur. Ai ka përdorur çdo situatë politike për të ndërtuar alibi, vetëm e vetëm për të minuar unitetin e VLEN-it, dhe për t’u afruar gjithnjë e më shumë me strukturat e vjetra që shqiptarët i kanë refuzuar në mënyrë masive. Është e dhimbshme për votuesit e Aleancës për Shqiptarët dhe gjithë atyre që kanë besuar në një projekt të përbashkët reformues, që sot të ndihen të braktisur dhe të lënë në mes të rrugës. Arben Taravari, me këtë akt të fundit, nuk është më zëri i ndryshimit – është simboli i përçarjes, i një politike pa bosht moral, pa ide dhe pa qëllim. Përballë kësaj situate, është koha që elektorati i zhgënjyer i ASH-së dhe gjithë shqiptarët që duan ndryshim të vërtetë, të distancohen nga politikanët që e shesin votën për interesa personale. Taravari nuk është më pjesë e zgjidhjes – ai është kthyer në një problem për vetë opozitën. Dhe historia do ta mbajë mend si një nga figurat më destruktive të skenës shqiptare në Maqedoninë e Veriut.