Disa persona janë arrestuar si pjesë e një hetimi të madh kundër korrupsionit që përfshin një agjenci të NATO-s, njoftuan sot sistemet gjyqësore të Belgjikës, Luksemburgut dhe NATO-s.

“Falë një hetimi të nisur nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë dhe Prokurimit (NSPA) e NATO-s, autoritetet gjyqësore në disa vende kanë arrestuar disa individë të akuzuar për korrupsion në lidhje me kontratat me Aleancën”, tha një zëdhënëse e NATO-s.

Sistemi belg i drejtësisë tha se dy të dyshuar ishin arrestuar.

“Hetimi përqendrohet në parregullsi të mundshme në dhënien e kontratave të kompanive të mbrojtjes për blerjen e pajisjeve ushtarake për NATO-n, siç janë municionet dhe dronët”, thuhet në kumtesën e autoriteteve gjyqësore belge.

Hetuesit dyshojnë se disa punonjës të NSPA-së, aktivë dhe në pension, u kanë dhënë informacione të klasifikuara kompanive për t’i ndihmuar ato të siguronin kontrata.

Policia e Luksemburgut, nga ana e saj, tha se kishte kryer disa bastisje në Luksemburg, ku ndodhet selia e NSPA-së, dhe kishte sekuestruar “dokumente të dobishme për përcaktimin e së vërtetës”.

“Autoritetet belge, holandeze, italiane, spanjolle dhe amerikane kryen operacione të njëkohshme që çuan në arrestimin e të dyshuarve”, shtohet në kumtesë.

NATO, nga ana e saj, pretendon se po punon në “bashkëpunim të ngushtë” me autoritetet gjyqësore në mënyrë që ata që janë përgjegjës të nxirren para drejtësisë.