Aston Villa pritet të ndërmarrë veprime zyrtare pas një vendimi kontrovers në ndeshjen kundër Manchester United, i cili u mohoi kualifikimin në Ligën e Kampionëve për sezonin e ardhshëm.

Skuadra e Unai Emery mendoi se kishte siguruar pjesëmarrjen në Champions për herë të dytë radhazi, kur Morgan Rogers shënoi një gol pas një ndërhyrjeje ndaj portierit Altay Bayındır në minutat e para në “Old Trafford”. Megjithatë, arbitri Thomas Bramall kishte fishkëllyer më parë për një faull ndaj portierit, para se topi të kalonte vijën fatale.

Pavarësisht faktit që Bayındır nuk kishte topin në të dyja duart, VAR nuk mundi të ndërhynte për shkak të ndërprerjes së lojës nga arbitri. Ky vendim rezultoi vendimtar: një barazim do t’i kishte mjaftuar Aston Villas për të përfunduar në top 5, pasi Neëcastle u mposht në shtëpi nga Everton.

Sipas gazetarit të besuar David Ornstein, Aston Villa po përgatit një ankesë zyrtare në Premier League për pasojat e vendimit:

“Aston Villa planifikon të bëjë një ankesë zyrtare në Premier League pas humbjes ndaj Man Utd që i mohoi klubit kualifikimin në Champions League. #AVFC beson se një arbitër më me përvojë duhej të ishte përzgjedhur për një ndeshje kaq të rëndësishme,” shkroi Ornstein në platformën X.

Pas incidentit, qendra e ndeshjeve e Premier League publikoi një deklaratë:

“Vendimi i gjyqtarit ishte për një faull në favor të Manchester United, me Bayındır që u konsiderua si në kontroll të topit përpara se Rogers të fitonte zotërimin. Fishkëllima e gjyqtarit erdhi para se topi të hynte në portë, ndaj incidenti nuk mund të rishikohej nga VAR.”

Ky rast pritet të ndezë diskutime për standardet e arbitrimit në ndeshjet me ndikim të madh, veçanërisht kur vendimet e kontestuara ndikojnë drejtpërdrejt në kualifikimin europian dhe miliona euro të ardhura. Aston Villa kërkon jo vetëm qartësi, por edhe ndryshime në mënyrën si menaxhohen këto situata në të ardhmen.