Komuna e Tetovës ditë më parë trumpetoi për “strehimoren moderne” për trajtimin e qenve endacak. Por realiteti i përditshëm i qytetarëve është krejt tjetër. Qentë endacak janë të pranishëm në çdo lagje, në çdo rrugë dhe rrugicë të qytetit, ndërsa rastet e sulmeve dhe kafshimeve janë në rritje.
Sipas të dhënave zyrtare nga SPB Tetovë, gjatë viteve 2021–2025 janë raportuar 240 raste sulmesh dhe kafshime ndaj qytetarëve nga qentë endacak, kurse vetëm deri më 20 maj të këtij viti janë regjistruar 14 raste të reja.
Ndërkohë, dokumentet që kemi siguruar tregojnë për një kontratë vjetore me vlerë 3.000.000 denarë që Komuna e Tetovës ka lidhur me kompaninë Ana Agro për “trajtim të qenve endacak”. Por kjo kontratë ngre shumë pikëpyetje.
Sipas të dhënave zyrtare kompania në fjalë operonnë në fushën e bujqësisë ( me shifër veprimtarie 01.13), konkretisht për kultivim të perimeve dhe pjeprit. Ajo ka ndryshuar pronarin në vitin 2023, dhe është kaluar në emër të Goran Toshevski, kurse pronarët paraprak të kompanisë janë individë me lidhje të afërta me strukturat e Lëvizjes Besa.
Kontrata përfshin çmime për eutanazi, sterilizim, trajtim, transport dhe akomodim të qenve si dhe mikroçipim, por nuk ka asnjë dëshmi se këto shërbime kryhen në praktikë në nivelin dhe sasinë që justifikon këtë buxhet.
Pyetja është, cilat janë efektet e këtij investimi? Ku është transparenca për numrin real të qenve të trajtuar, sterilizuar apo sistemuar? Dhe si është e mundur që një kompani bujqësore, që sapo ka ndryshuar pronësinë, të marrë një kontratë kaq të ndjeshme me fonde publike?
BDI – Dega Tetovë, potencon se Tetova nuk ka nevojë për kontrata të dyshimta që favorizojnë të afërmit e partisë në pushtet.
Tetova më shumë se kurë ka nevojë për zgjidhje të vërteta për një problem që po dëmton sigurinë publike dhe shëndetin e qytetareve.